Në lidhje me krizën politike e institucionale që ka përfshirë Kosovën tashmë sërish po pritet Gjykata Kushtetuese për të dhënë sqarime shtesë pas kërkesave të PDK dhe LDK. Deri në përfundimin e afatit 30 ditor të përcaktuar në vendimin e parë të Kushtetueses, kanë mbetur edhe dy javë e gjysmë ose sipas radhës, edhe 8 seanca të tjera.
Vetë Kushtetuesja nuk ka përcaktuar se cilat janë pasojat në rast se ky vendim nuk do të respektohet.
“Mendoj që t’u merret mandati të gjithë këtyre deputetëve që nuk e konstituuan Kuvendin të ftohen ata që janë në radhë dhe ata të kenë edhe 30 ditë për të provuar a do ta konstituojnë Kuvendin apo jo”, u shpreh analistja Makbule Shkodra.
Kushtetuta parasheh disa raste kur deputeti në Kosovë e humb mandatin e tij, nga dorëheqja, dënimi me burgim me 1 apo më shumë vite, me mungesë për më shumë se 6 muaj, paaftësia dhe vdekja.
“Në Kushtetutën e Kosovës janë të paraparë atje mënyrat se si humbet deputeti i Kuvendit të Kosovës mandatin, nuk mundet ta humbet deputeti edhe pas 30 ditëve, ky mandat është i lirë, i fituar në mënyrë të ligjshme dhe kushtetuese në kuptimin që ai e ushtron këtë mandat dhe nuk mund ta humbet për shkak që ai nuk është duke e konstiuuar vetveten”, tha Naim Jakaj.
Kushtetuesja gjithashtu nuk mund të detyrojë vendin të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme me mungesën e konstituimit. NAIMJAKAJNJOHËS
“Nuk mundet të thotë Gjykata Kushtetuese që mund të shkojmë në zgjedhje edhe nëse kalon afati 26 korrik sepse për këtë duhet Kuvend të konstituuar, duhet të votohet një qeveri, ose nëse nuk e voton një qeveri deri në mandatin e dytë atëherë shkojmë në zgjedhje ose me tjetrin dispozitë ku e vet shpërndan veten Kuvendi, në këto rrethana po, në rrethana të tjera jo nuk mundet në asnjë mënyrë të shkojmë në zgjedhje”, theksoi Jakaj.
Dështimet për konstituuimin e Kuvendit që nga zgjedhjet e 9 shkurtit në vlerësimin e analistëve po i shërbejnë vetëm propagandës serbe.
“Njëra prej propagandave që Serbia e bën në vazhdimësi dhe po vazhdon ta bëjë është që shqiptarët në Kosovë nuk dinë të mbajnë shtet dhe çka bëjmë ne faktikisht me këtë njëfarë mënyrë po e vërtetojmë atë propagandën e Serbisë, ky është një falimentim i shtetit”, shton Shkodra.
Seanca konstituive ka nisur që më 15 prill dhe gati 3 muaj më pas ende nuk ka përfunduar dhe deputetët janë të obliguar të mblidhen çdo 48 orë deri në përfundimin e saj dhe konstituimin e Kuvendit që mbyllet me zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe nënkryetarët. (A2 Televizion)