Për herë të 44, Kuvendi i Kosovës dështoi të konstituojë legjislaturën e re, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Megjithë paralajmërimin për humbje të mundshme të mandateve, ligjvënësit nuk po gjejnë një konsesus për ngërçin, me partitë deri më tani në opozitë, që vazhdojnë të kundërshtojnë ngritjen e komsionit për mbikqyrjen e votimit të fshehtë, shkruan A2.
Debate shpërthyen në sallë, teksa kryesuesi i seancës konstituive Avni Dehari, ndërhyri shpeshherë për të ndalur fjalën e disa deputetëve të PDK. LDK dhe AAK që i thirri në foltore për të propozuar anëtarët e komisionit për votim të fshehtë, por që ata e shfrytëzuan fjalën për të akuzuar Vetëvendosjen se po bllokon konstituimin e Kuvendit dhe po shkel Kushtetutën e vendit.
“I nderuar ushtrues detyre i kryetarit të Kuvendit. I nderuar ushtrues i detyrës së kryeministrit, ushtrues të detyrës së ministrave, e nderuar ushtruese e përjetshme e kandidates për kryetare të Kuvendit, të dashur qytetarë të shtetit, e ftoj kryesuesin të kthehet në pikën e rendit të ditës”, tha Behrami.
Gruda u shpreh: “Sot nuk është fjala vetëm për një procedurë, por është fjala për një shtet ligjor dhe kaos institucional. Midis demokracisë dhe arbitraritetit. Nëse sot lejojmë të shkelet Kushtetuta për një karrige, nesër do të shkelet për një qeveri dhe pasnesër për një ligj. Ndërkaq, pa e kuptuar, nuk do të kemi më rregulla, por vetëm pushtet që s’njeh asnjë kufi”.
Kritik ndaj Lëvizjes Vetëvendosje u shpreh edhe deputeti i LDK-së, Alban Zogaj, i cili tha: “44 dështime, 44 seanca të shndërruara në farsë politike, 44 herë shkelje e vullnetit të qytetarëve, por edhe shkelje e Kushtetutës së vendit. Ky është bilanci real i partisë fituese të zgjedhjeve, por e cila në thelb është humbëse – në përgjegjësi, etikë, vullnet për bashkëpunim dhe respekt për Republikën... Po tentojnë ta uzurpojnë institucionin më të lartë përfaqësues të vendit tonë. Vendi po fundoset në krizë të thellë socio-ekonomike, qytetarët nuk e kanë luksin që 44 herë të provojnë ta paguajnë energjinë elektrike”.
Ndërsa Kadrijaj u shpreh: “Do ta mbrojmë Republikën – jo Republikën e LVV-së, por Republikën e Kosovës. Kjo Republikë nuk është bërë thjesht dhe lehtë. Për këtë Republikë është derdhur shumë gjak dhe është bërë shumë mund dhe sakrificë, derisa kemi ardhur në këtë Kuvend të Kosovës. E kemi obligim para qytetarëve dhe familjeve të dëshmorëve dhe të gjithë atyre që kanë dhënë më së shumti, të qëndrojmë stoikisht dhe të mbrojmë Kushtetutën e Kosovës”.
Gjykata Kushtetuese i ka dhënë 30 ditë kohë deputetëve të konstituojnë Kuvendin, afat që skadon më 26 korrik. Por, ata nuk po pajtohen dot lidhur me çështjen e votimit të fshehtë për kryetarin e Kuvendit, duke i bërë interpretime të ndryshme aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen.
Vetëvendosje vijon të mos heqë dorë nga emri i Albulena Haxhiut dhe kërkon votim të fshehtë për të, por opozita e sheh atë si një figurë përçarëse dhe votimin e fshehtë si jokushtetues. (A2 Televizion)