Rritet numri i viktimave dhe të zhdukurve nga zjarri në Hong Kong, arrestohen 3 persona

Nga A2 CNN
27 Nëntor 2025, 07:51 | Bota

Rritet numri i viktimave dhe të zhdukurve nga zjarri në Hong Kong,

Të paktën 44 persona kanë humbur jetën nga zjarri i madh që përfshiu disa apartamente banimi në lagjen Tai Po të Hong Kongut, ndërsa më shumë se 270 persona rezultojnë të zhdukur.

Ekipet e shpëtimit po kërkojnë për qindra persona të zhdukur pas zjarrit që përfshiu disa ndërtesa të larta në një kompleks apartamentesh në Hong Kong.

Pas 18 orësh, zyrtarët thanë se zjarri ishte nën kontroll, është klasifikuar si flakë e nivelit pesë, niveli më serioz në Hong Kong. Por mediat ndërkombëtare bëjnë të ditur se disa nga ndërtesat në kompleks, ku banon një popullsi e madhe banorësh të moshuar, janë ende në flakë, gati 24 orë pas zjarrit më vdekjeprurës të qytetit që nga Lufta e Dytë Botërore, shkruan A2 CNN.

Kompleksi ishte në rikonstruksion dhe ishte i mbështjellë me skela bambuje dhe rrjeta sigurie.

Policia njoftoi arrestimin e dy drejtorëve dhe një konsulenti inxhinierik nga kompania e ndërtimit që po kryente mirëmbajtjen e ndërtesës.

Ata janë arrestuar me dyshimin për vrasje të paqëllimshme në lidhje me zjarrin. Policia i akuzoi të tre për "neglizhencë të rëndë". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos