
Një tren që po kryente operacione testimi sizmik goditi një grup punëtorësh në Provincën Yunnan të Kinës, duke vrarë njëmbëdhjetë persona dhe duke plagosur dy të tjerë, raportuan mediat lokale, nw aksidenti hekurudhor më vdekjeprurës në më shumë se një dekadë.
Incidenti ndodhi në Stacionin Luoyang, të vendosur në kryeqytetin e provincës Kunming, ku punëtorët e ndërtimit po punonin në shina, shkruan A2 CNN. Sipas CCTV shtetërore, treni, i cili po i nënshtrohej testimit, goditi grupin e punës ndërsa ecte nëpër zonën hekurudhore.
Treni "normalisht po udhëtonte rreth një kthese brenda stacionit Luoyang Town të Kunmingut kur u përplas me punëtorët e ndërtimit që kishin hyrë në shina", thanë autoritetet lokale hekurudhore në një deklaratë, shkruan A2 CNN.
Mediat kineze bëjnë të ditur se shkaku i aksidentit është nën hetim.
Rrjeti hekurudhor i Kinës është më i madhi në botë, me një gjatësi prej më shumë se 160,000 km dhe miliarda udhëtime çdo vit, shkruan A2 CNN.
Edhe pse është lavdëruar për efikasitetin e tij, ai ka tërhequr vëmendjen pas disa incidenteve të profilit të lartë, si aksidenti i vitit 2011 në provincën lindore të Zhejiang që vrau 40 persona dhe plagosi 200 të tjerë.
Nëntë persona u vranë në vitin 2021 kur një tren në provincën veriperëndimore të Gansu përplasi punëtorët në një pjesë të hekurudhës Lanzhou-Xinjiang. (A2 Televizion)
