Fitorja “historike” e Kurtit, pas bllokadës 10 mujore populli ndëshkon me votë opozitën

Nga Rosalba Bejdo
29 Dhjetor 2025, 22:20 | Politikë

Albin Kurti dhe partia e tij vetëvendosje shënuan fitore të thellë në zgjedhje e parakohshme të së dielës, duke I dhënë përgjigjen më të qartë pyetjes se kë do të ndëshkonin votuesit për bllokadën pulitke 10 mujore. LVV-ja fitoi 49.30 për qind të votave, pa llogaritur votat me kusht dhe ato të diasporës, sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Dy partitë kryesore opozitare PDK dhe LDK, siguruan respektivisht  21.01 për qind të votave, dhe 13.59 për qind, ndërkaq Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 5.68 për qind.

Lidhja demokratike ishte humbësja më e madhe e këtyre zgjedhjeve duke shënuar një tkurrje të qartë nga rezultati i 9 shkurtit kur kishte mbi 18 përqind të mbështetjeve.  Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet edhe në shkurt, por pa arritur shumicën, dhe që prej asaj kohe Kosova ka qenë pa një qeveri funksionale. Ky ngërç e bëri votimin veçanërisht të rëndësishëm. Megjithatë, rezultati nuk është mjaftueshëm i lartë për t’i siguruar Kurtit qeverisje pa partnerë koalicioni. Por ai nuk do ta ketë të vështirë të sigurojë mbështetje nga deputetët e partive pakicë jo serbe. Kjo është fitorja e katërt radhazi e Vetëvendosjes në zgjedhjet parlamentare. Rezultati përbën një rehabilitim politik, pasi pas zgjedhjeve të 9 shkurtit partitë opozitare i bllokuan përpjekjet e Kurtit për të formuar qeverinë. Kurti e quajti këtë “fitoren më të madhe në historinë e vendit” dhe tha se pret që këtë herë partitë opozitare të bashkëpunojnë, e jo të pengojnë procesin, shkruan A2 CNN.

Nisma Socialdemokrate, me vetëm 1.72 për qind të votave nuk ka arritur ta kalojë pragun zgjedhor. Ndërsa Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, i fitoi 4.74 për qind të votave.  Bazuar në rezultatet paraprake LVV  pritet të ketë 56 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja 23, LDK-ja 15 ulëse dhe AAK-ja 6 vende. Lista Serbe pretendon se i ka fituar të gjitha dhjetë ulëset e rezervuara për komunitetin serb në Kuvend, por mbetet ende në pikëpyetje nëse partia tjetër serbe, Partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit, do ta fitojë një të tillë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos