
Gazetari Enver Robelli ka kritikuar qasjen e kryeministrit Albin Kurti ndaj çështjeve madhore të Kosovës, duke e akuzuar për populizëm, manipulim me patriotizëm dhe mungesë sinqeriteti politik, veçanërisht në raport me asociacionin e komunave me shumicë serbe.
I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN, Robelli tha se Kosova ka marrë obligime ndërkombëtare që herët a vonë duhet t’i zbatojë, duke theksuar se marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel dhe Ohër nuk mund të mohohen sipas interesit elektoral.
“Në thelb, me marrëveshjen e Ohrit, asociacioni është pranuar. Prandaj, kjo çështje kërkon konsensus kombëtar: ose e bëjmë dhe e paguajmë çmimin, ose nuk e bëjmë dhe paguajmë një çmim edhe më të lartë”, tha Robelli.
Sipas Robellit, politika kosovare po mbetet peng i frikës për humbje votash, ndërsa qytetarëve nuk u thuhet e vërteta për çmimin politik që duhet paguar. Ai shtoi se çështja e Asociacionit po përdoret për polarizim të shoqërisë dhe jo për zgjidhje reale.
Gazetari kritikoi gjithashtu fokusimin e tepruar te veriu, duke theksuar se problemet e Kosovës nuk zgjidhen “me ngritje muskujsh”, por me dialog dhe përfshirje të pakicës serbe si qytetarë të barabartë.
“Pallavrat për Kosovën heroike dhe lojërat me patriotizëm nuk i zgjidhin problemet reale.”
Robelli theksoi se Kosova po përballet me kriza serioze në arsim, energji dhe zhvillim ekonomik, ndërsa populizmi politik po e largon vëmendjen nga këto sfida thelbësore. (A2 Televizion)