Fushata zgjedhore: Mbi 20 mijë euro gjoba për kandidatë e parti politike

Nga A2 CNN
25 Shtator 2025, 16:25 | Politikë

Fushata zgjedhore: Mbi 20 mijë euro gjoba për kandidatë e parti

Mbi 20 mijë euro është shuma e gjobave që Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka shqiptuar për disa kandidatë e subjekte politike gjatë fushatës për zgjedhjet lokale 2025. PZAP në gjashtë vendime ka shqiptuar gjoba për shkak të shkeljeve të rregullave të fushatës zgjedhore, në mesin e tyre edhe për gjuhë nxitëse dhe të urrejtjes.

ushata për zgjedhjet lokale të 12 tetorit tashmë është në ditën e trembëdhjetë dhe do të zgjasë 30 ditë. Janë 206 kandidatë që po garojnë për udhëheqës të komunave, ndërkaq, janë më shumë se 5600 kandidatë që synojnë ulëse në kuvende komunale.

Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) flet për vendimet e deritanishme të PZAP-së dhe gjobat e shqiptuara deri më tani për kandidatë e subjekte politike.

“Deri më tani në këtë moment, me sa vërejta nga platforma e PZAP-së, diku janë rreth gjashtë vendime me gjobë që janë shqiptuar disa kandidatëve dhe subjekteve politike për shkak të shkeljes së rregullave të fushatës zgjedhore. Nga 17 raste që unë evidentova, gjashtë prej tyre janë të vendosura me gjobë ”, deklaron ai.

Në periudhën e njëjtë të fushatës për zgjedhje nacionale, Bugaqku thotë se ishin shqiptuar mbi 100 mijë euro gjobë.

“Për dallim prej zgjedhjeve parlamentare të datës 9 shkurt, vetëm në 10 ditët e para të atyre zgjedhjeve, PZAP pati shqiptuar diku mbi 100 mijë euro gjobë. Dhe numri i ankesave për gjuhë nxitëse dhe urrejtëse edhe më i madh se tani sa i përket aktualisht fazës së deritanishme. Diku në dy apo tri raste kemi dënimin mbi përdorimin e gjuhës nxitëse dhe urrejtëse, kurse në zgjedhjet parlamentare ju e dini që për 10 apo 12 ditë ka qenë numër i madh i vendimeve që i ka dënuar subjektet politike me gjoba tejet të larta sa i përket përdorimit të gjuhës nxitëse dhe urrejtëse”, shton ai.

Gjuhë nxitëse dhe të urrejtjes në rrjete sociale, Venera Gashi nga Demokracia për Zhvillim (D4D) thotë se kanë vërejtur gjatë monitorimeve. Ajo thotë se gjatë këtyre ditëve kanë monitoruar kandidatë për kryetar dhe atyre për asamble komunale, për të cilët thotë se kanë targetuar kundër kandidatët e tyre.

“Ne gjatë monitorimeve prej periudhës së para fushatës e deri më sot kemi hasur në gjuhe të urrejtjes kryesisht, për shembull periudha e monitorimit të javës së parë nga gjithsej 32 raste, 22 prej tyre kanë qenë me gjuhë të urrejtjes. Bullizëm personal kanë qenë tri, dezinformim tri, një sulm etnik fetar dhe tri raste tjera. Por edhe këtë javë edhe në përgjithësi kemi hasur në më shumë raste të gjuhë të urrejtjes”, thotë ajo .

Kjo fushatë zgjedhore është më e zbehtë se sa parapraket, thotë ndër tjera Mexhide Demolli, e cila është drejtoreshë në “Lëvizja Fol”, ku mes tjerash shprehet se “programet e kandidatëve lënë shumë për të dëshiruar”.

Për trembëdhjetë ditë fushatë, Demolli shton se bazuar në monitorime kanë vënë re edhe debate me gjuhë jo të përshtatshme.

Në zgjedhjet lokale të 12 tetorit të drejtë vote kanë dy milionë e 69 mijë e 98 votues. Në mesin e tyre janë edhe mbi 43 mijë votues prej jashtë shtetit. Në këto zgjedhje lokale janë certifikuar 93 subjekte, prej tyre 32 parti politike, 32 iniciativa qytetarë, dy koalicione dhe 27 kandidatë të pavarur. Kosovapress

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos