Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka mbështetur reagimet e SHBA-së dhe BE-së ndaj Qeverisë së Kosovës, lidhur me ato që i quajnë, veprime të njëanshme rreth mbylljes së nëntë degëve të Postës Serbe në veri. Rohde thotë se hapat e pakoordinuar bien ndesh me marrëveshjet e dialogut, dhe kjo rrezikon që aplikimi për anëtarësim të Kosovës në BE të mbetet në sirtar.
Sakaq, zëdhënësi i Bashkimit Europian Peter Stano tha në një konferencë për shtyp këtë të martë se veprimi i autoriteteve të Kosovës është kundër dialogut. Stano paralajmëroi se veprime të tilla mund të çojnë në tensione të reja mes dy vendeve.
“E konsiderojmë si hap të njëanshëm dhe të pakoordinuar pikërisht për arsyet që i listuam në deklaratën e lëshuar mbrëmë. Palët, Kosova dhe Serbia, kanë arritur një marrëveshje në vitin 2013 për telekomunikim, ku thuhet se shërbimet postare do të diskutoheshin në faza të mëvonme. Që nënkupton se kishte dialog të përfshirë në zgjidhjen e këtyre çështjeve. Për fat të keq, ajo që bëri qeveria e Kosovës dhe autoritetet atje gjatë ditës së djeshme, ishte absolutisht e pa koordinuar dhe do të ketë pasoja negative për njerëzit në veri të Kosovës, dhe është një shkelje e marrëveshjes së dialogut, për çka edhe lëshuam edhe deklaratën dhe ishim shumë të qartë. Kjo është kundër dialogut, dhe një tjetër shembull i veprimeve të njëanshme e të pakoordinuara të administratës së Kurtit. Por, të gjitha çështjet që listuam, janë çështje ku Kosova ka probleme. Fakti që BE-ja vendosi masa kundër Kosovës vitin e kaluar, është reflektim i hapave që çuan në përshkallëzim. Tani po shohim më shumë hapa të njëanshëm, veprime të pakoordinuara. Kjo nuk është në fakt shtensionim, kjo çon në tensione të reja. Dhe kjo duhet të kuptohet mirë nga ata që marrin vendime në Prishtinë”, tha Stano. (A2 Televizion)