Incidenti në aeroportin e Shkupit, Presidenca: Keqardhje për mënyrën si u trajtua nga Kurti-Miskoski

Nga Rosalba Bejdo
6 Gusht 2024, 15:42 | Politikë

Çështja e incidentit të ndodhur më presidenten Vjosa Osmani në aeroportin e Shkupit, duket se i ka fryrë edhe me shumë zjarrit, sa i përket marrëdhënieve të tensionuara mes qeverisë dhe presidencës. Kjo e fundit shprehu pakënaqësinë me mënyrën sesi u trajtua incidenti i 1 gushtit gjatë konferencës për shtyp mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe homologut maqedonas Hristijan Mickoski, në Shkup.

Mickoski, tha se i vjen keq për incidentin ndërsa homologu i tij kosovar, Albin Kurti, pohoi se një raport zyrtar do të zbardhte të gjithë ngjarjen.  Ai nuk e mbështeti pohimin e mëhershëm të presidencës, se incidenti ishte një provokim.

“Konferenca i ka kontribuar edhe më shumë propagandës kundër Republikës së Kosovës. Ajo që ka ndodhur në aeroportin e Shkupit ka qenë shkelje e qartë e rregullave ndërkombëtare të njohura dhe aplikuara botërisht, prandaj Presidenca pret të njoftohet për masat e ndërmarra lidhur me këto shkelje, ashtu siç është theksuar edhe në notën e protestës të drejtuar nga Republika e Kosovës”.

Ky institucion tha se e vlerëson shprehjen e keqardhjes për incidentin nga kryeministri maqedonas, por shtoi se deri më tani, “në asnjë moment institucionet e Maqedonisë së Veriut nuk i kanë trajtuar çështjet e ngritura në notën e protestës që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtës ndërkombëtare zakonore në raport me Republikën e Kosovës, por përkundrazi, hapur e pa asnjë hezitim e kanë pranuar një shkelje të tillë”.

“Për këtë as nuk duhen raporte e hetime shtesë për ndonjë gjendje faktike, sepse ato janë komplet jo relevante para pranimit publik te institucioneve të Maqedonisë së Veriut se një rregull i tillë është imponuar qëllimshëm, pavarësisht kërkesave të qarta të së drejtës ndërkombëtare”.

Presidenca përsëriti se Vjosa Osmani nuk ka bërë tejkalim apo shkelje të procedurave gjatë udhëtimeve të saj në shtete të ndryshme të botës. Sipas deklaratës, pavarësisht rregullave jashtëzakonisht strikte të sigurisë në aeroporte në shumicën dërrmuese të shteteve ku Osmani ka udhëtuar, nuk i është kërkuar skanimi i çantës ,telefonit, e aq më tepër i të gjithë trupit. Kjo do nënkuptonte se kreu i shtetit, e rrjedhimisht shteti, po trajtohet si rrezik potencial për terrorizëm– thuhet në deklaratën e presidencës.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos