Mikrofonat në tokë, gazetarët reagojnë ndaj Kurtit

Nga A2 CNN
23 Prill 2025, 15:47 | Politikë

Refuzimi i vazhdueshëm i kryeministrit në detyrë dhe liderit të Vetëvendosje, Albin Kurti, për të folur para mediave ka shkaktuar reagim të ashpër nga gazetarët, shkruan A2 CNN. Në një akt simbolik proteste, përfaqësues të mediave vendosën mikrofonat e tyre në tokë, ndërsa Kurti po ecte drejt godinës së Qeverisë, duke shprehur pakënaqësinë ndaj moskomunikimit të tij publik.

Ky reagim vjen pas disa ditësh mungese të përgjigjeve nga Kurti ndaj pyetjeve të gazetarëve, veçanërisht pas caktimit të seancës konstituive nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për datën 15 prill.

Situata politike ka mbetur e tensionuar, pasi procesi i konstituimit të Kuvendit të ri ka dështuar për herë të pestë me radhë.

Lëvizja Vetëvendosje, në koalicion me Guxo dhe Alternativën, fitoi 48 mandate në zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt. Megjithatë, kjo nuk është e mjaftueshme për të siguruar zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit pa përkrahje shtesë.

Kandidatura e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit është rrëzuar për të pestën herë radhazi. Ajo mori 57 vota pro nga LVV dhe përfaqësuesit e komuniteteve, 46 kundër nga PDK, LDK dhe AAK, ndërsa tre deputetët e Nismës abstenuan.

Përpjekjet për të zgjidhur ngërçin politik do të vazhdojnë të premten në orën 10:00, kur pritet të mbahet seanca e radhës konstituive. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos