Kosova pa Kuvend, PDK dhe AAK mund të votojnë një emër tjetër

Nga Ideal Gola
23 Prill 2025, 16:02 | Politikë

Partitë politike nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët për të konstituuar Kuvendin e Kosovës. Edhe pse para seancës u mbajt një takim konsultativ me përfaqësues të partive, nuk pati dakordim. Emri i Albulena Haxhiut mbetet i kontestuar nga Partia Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Të dy këto parti kanë lënë të hapur mundësinë për të mbështetur një kandidat tjetër.

“Do të ishim të gatshëm të shqyrtojmë një kandidaturë tjetër. Jemi të gatshëm, mos të presim 48 orë sepse nuk është obligative të presim 48 orë. Do të kishim mundësi të takohemi nesër pasdite. Le të sjellin një kandidat apo kandidate që vërtet mund të jetë më e pranueshme për opozitën”, tha Memli Krasniqi, kryetar i PDK.

“Nëse Vetëvendosje nuk gjen zgjidhje tjetër, ta shohim si do të ecim më tutje. Por mendoj se do të ishte në interes të tyre që të propozojnë ndonjë kandidaturë unifikuese, edhe të kalojë ky bllokim”, tha kryetari i AAK, Ramush Haradinaj.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka shprehur qëndrimin se nuk do të ketë asnjë votë “për”, edhe nëse propozimi për kryeparlamentar do të ishte Fatmir Limaj.

“Kandidaturat sigurisht që vijnë si rezultat i marrëveshjeve politike. Normalisht, në qoftë se LVV ka marrëveshje politike me grupe të tjera politike në Kuvend, atëherë ata marrin votat e atyre grupeve politike, kurse ne nuk kemi vota as për partnerët e koalicionit të Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Hykmete Bajrami, deputete e LDK-së.

Vetëvendosje tha se partitë e tjera nuk mund të përcaktojnë emrat e kandidatëve për kryetar Kuvendi, ndërsa shtuan se kjo bëhet më shumë për të shkaktuar përçarje brenda subjektit të tyre.

“Propozimi ynë është Albulena Haxhiu. Nëse fillojmë të hyjmë në këtë qark të kontestimit të kandidatëve të njëri-tjetrit, atëherë edhe ne do ta kontestojmë kandidatin e LDK-së, kandidatin e PDK-së për nënkryetarë, dhe nuk do të konstituohet Kuvendi kurrë”, tha Hekuran Murati , deputet i Vetëvendosjes.

Vazhdimi i seancës konstituive është caktuar për të premten në ora 10:00. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos