Lëvizja Vetëvendosje, e konsideron të papranueshme ndërrimin e emrit të Albulena Haxhiut e cila është propozuar për kryetare të Kuvendit të Kosovës. Legjitimiteti i Albulena Haxhiut që të jetë kryetare është i pa kontestueshëm sipas deputetes Mimoza Kusari-Lila. Ajo shtoi se Albulena Haxhiu është gruaja më e votuar në zgjedhjet e shkurtit.
“Lehtësia me të cilën që po gjykohet dhe po vlerësohet mundësia e ndërrimit të kandidates është i papranueshëm nga ne...Legjitimiteti i Albulena Haxhiut që të jetë kryetare është i pa kontestueshëm”, tha Kusari-Lila.
Deputeti tjetër i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati tha se opozita është e pa interesuar që të zhbllokojë procesin. "Ka disa kundërthënie, disa paradokse në lidhje me sjelljen e deputetëve të opozitës. Janë totalisht të pa interesuar që të zhbllokojnë procesin", u shpreh ai.
Ndërsa edhe deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci pas dështimit për herë të pestë të konstituimit të Kuvendit, tha se kjo nuk është duke u bërë në mënyrë të qëllimshme.
Ai tha se opozita duhet ta respektoj kushtetutën dhe ta votoj kandidaten.
Në përpjekjen e pestë për t’u zgjedhur kryeparlamentare, Haxhiu mori vetëm 57 vota për nga LVV-ja dhe komunitetet, 46 kundër nga PDK, LDK dhe AAK dhe ndërkaq, tre deputetët e Nisma-s abstenuan.
Vazhdimi i seancës konstituive pritet të mbahet të premten në orën 10:00. (A2 Televizion)