“Hovenier nuk është ambasador”, Vulin provokon dhe ofendon shqiptarët: Kosova është Serbi

Nga A2 CNN
11 Qershor 2024, 20:07 | Politikë

Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandër Vulin, provokoi dhe ofendoi shqiptarët në reagimin ndaj ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier. Duke folur nga Moska, ku gjendet në vizitë zyrtare për të marrë armë ruse, Vulin sfidoi Uashingtonin duke thënë se nuk pranon kërcënim nga Shtetet e Bashkuara.

“Kosova është pjesë e Serbisë”, ka thënë nënkryetari i qeverisë serbe duke kritikuar qëndrimin e Hovenier kundër Botës Serbe.

Vulin iu drejtua atij duke thënë “i ashtuquajtur ambasador Amerikan në Prishtinë. Ai është i inatosur sepse Serbia dhe Srpska nuk e njohin Kosovën, nëse është më e lehtë për të, ne nuk e njohim si ambasador, madje edhe Shiptari mezi e njeh”, ka thënë Vulin duke përdorur dhe termin ofendues në drejtim të shqiptarëve.

Zëvendëskryeministri serb vazhdoi me provokime të tjera, duke pretenduar se shqiptarët në Kosovë kanë frikë nga ato që i quajti “bosët në Uashington”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos