
“Old Trafford” përjeton një tjetër mbrëmje dramatike europiane. Manchester United përmbys një disavantazh prej dy golash dhe mposht Romën 3-2, në një sfidë që dukej e humbur pas 45 minutave të para.
Skuadra italiane ishte më kërkuese në pjesën e parë dhe kaloi në avantazh me Matias Soule, përpara se Donyell Malen të dyfishonte shifrat nga pika e bardhë e penalltisë, shkruan A2.
Por, gjithçka ndryshoi pas pushimit. Bruno Fernandes rihapi ndeshjen me një penallti të përsëritur, ndërsa Matheus Cunha barazoi rezultatin, duke përfituar nga një gabim i mbrojtjes italiane.
Dhe kur dukej se takimi do të mbyllej në barazim, sërish Cunha u shfaq protagonist. Braziliani realizoi golin e dytë personal, duke kompletuar përmbysjen dhe duke ndezur festën në “Old Trafford”.
Një fitore karakteri për United, ndërsa Cunha u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë në minutën e 90-te, por kjo nuk ndikoi aspak në fushën e lojës, duke bërë që në fund festa të ishte e gjitha e djajve të kuq. (A2 Televizion)