“Integrimi kalon vetëm nga dialogu'”, Hovenier: Nuk ka anëtarësim në NATO pa zbatuar ujditë

Nga A2 CNN
22 Mars 2024, 18:56 | Politikë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, deklaroi se rruga e Kosovës drejt integrimit në institucionet euroatlantike është zbatimi i marrëveshjeve me Serbinë.

Hovenier tha se presin nga Albin Kurti, ashtu siç kishin pritur edhe nga qeveritë e mëparshme të Kosovës, të punojnë në partneritet me Shtetet e Bashkuara për të ndërtuar një rajon të qëndrueshëm dhe të sigurt: “Rruga e vetme, dhe me e vetmja nënkuptoj e vetmja rrugë për integrimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike, është përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Nuk ka rrugë tjetër. Dhe konkretisht mirëbesimi dhe zbatimi i plotë i të gjitha zotimeve që ka marrë Kosova në kuadër të dialogut. Kjo nuk është e negociueshme”. 

Diplomati amerikan, duke folur në një konferencë të Këshillit të Ambasadorëve të Kosovës në shënim të 25-vjetorit të bombardimeve të NATO-s, tha se askush nuk bëhet pjesë e Aleancës pa kryer reformat e nevojshme.

Duke iu kthyer ngjarjeve të viteve ’98-’99, Hovenier tha se angazhohen që lufta të mos përsëritet kurrë: “Dua të rikonfirmoj përkushtimin tonë për të siguruar që ngjarjet e tmerrshme që ndodhën në Kosovë 25 vjet më parë të mos përsëriten më kurrë. Ne mbetemi të përkushtuar për të mbështetur rolin e vazhdueshëm stabilizues të luajtur nga Forca e NATO-s në Kosovë”. 

Hovenier theksoi se populli amerikan ka qenë dhe është krenar të qëndrojë krah për krah me popullin e Kosovës.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos