Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, thotë se përgjimet e publikuara ndërmjet shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila me kryeterroristin Milan Radoiçiç tregojnë për bashkëpunimin e qeverisë Kurti me Listën Serbe.
“Mirë që kanë dal këto në opinion sepse është krijuar një përshtypje në opinion se LVV-ja që është në pushtet nuk bashkëpunon me Listën Serbe. Tani del se jo vetëm që ka bashkëpunuar por ka qenë në një lloj koalicioni me Listën Serbe. T’i nuk mund të kërkosh nga shefi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe që ata të vijnë në Kuvend dhe të votojnë për një ligj apo për një gjykatës të Gjykatës Kushtetuese për çështje që janë me rëndësi për Kosovë dhe mos të kesh një marrëveshje me ata, pasi kjo s’ka ndodhur me parti të tjera që kanë qenë në opozitë. Çështje të tjera pastaj janë që kërkojnë edhe përgjegjësi morale, etike dhe përgjegjësi ligjore. Si mund të kërkosh prej një njeri që ka qenë i ndjekur ligjërisht që ai të kryejë punë ose të sjell vendime që i kërkon kuvendi apo qeveria nesër”, thotë ai.
Në një intervistë për KosovaPress Mustafa thotë se Radoiçiç ka pasur rol edhe në zgjedhjen e presidentes Vjosa Osmani, duke u bazuar në deklaratën e kryetarit të AKR-së, Behgjet Pacolli, se ai ka biseduar me Radoiçiçin në prezencë të kryeministrit Albin Kurti dhe atëherë kandidates për presidente, Vjosa Osmani.
“Ishte edhe një deklaratë e zotëri Pacollit se ata kanë biseduar në mënyrë të drejtpërdrejtë... S’kemi arsye të mos i besojmë njërit i cili del dhe thotë se unë kam fol me Radoiçiqin në prezencën e këtyre (Kryeministrit) edhe të presidentes”, shton Mustafa.
Mustafa, i cili në vitin 2014-2017 sa ka qenë kryeministër ka pasur koalicion me Listën Serbe, thotë se nuk është takuar asnjëherë me Radoiçiç dhe se ai s’ka pasur ndikimin në qeverinë e tij. (A2 Televizion)