“S’ka përparim në dialog”, Rohde: Progresi, garanci për anëtarësim në BE

Nga Rosalba Bejdo
18 Tetor 2024, 19:58 | Politikë

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, kërkoi përparim në dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se aktualisht nuk ka shumë progres në procesin që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian, shkruan A2 CNN.

Deklaratat i bëri pas diskutimeve të zhvilluara në Prishtinë lidhur me Procesin e Berlinit: “Pritshmëritë tona janë që palët e interesuara që duan të lëvizin, flasin me njëra-tjetrën dhe kanë vullnet politik për të arritur progres, sepse për momentin nuk ka shumë përparim në dialog. E di që ka zgjedhje, por ne gjithmonë kemi zgjedhje diku. Për qytetarët e rajonit dhe veçanërisht të Kosovës dhe Serbisë, është e rëndësishme që të ketë lëvizje, që ne të ecim përpara”.

Javën e ardhshme, më 24 tetor, në Bruksel do të mbahet raundi i ri i dialogut në nivel të kryenegociatorëve. Megjithatë, ende nuk dihet nëse do të ketë një takim trepalësh: “Jam i sigurt se Lajçak dhe ekipi i ri në Komision duan përparim dhe në fund qëllimi përfundimtar është anëtarësimi i Kosovës dhe Serbisë në BE, të dyja dhe të gjithë e dinë se kjo mund të arrihet vetëm nëse kemi normalizim dhe pa normalizim nuk ka anëtarësim të mundshëm”.

Në BE, por edhe në NATO, ka zhgënjim në rritje lidhur me rrjedhën e dialogut dhe mbi faktin që nuk po prodhohen rezultatet e pritura. I dërguari i posaçëm i BE, Mirosllav Lajçak, ka mandat deri në janar të vitit 2025, ndërkohë që të gjithë sytë janë drejtuar nga përfaqësuesja e re për politikë të jashtme, Kaja Kallas, dhe tek qasja që pritet të ketë ndaj dialogut.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos