Kallas në veri: Ndërkombëtarët japin pasqyrën më saktë për situatën

Nga A2 CNN
23 Maj 2025, 17:42 | Politikë

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, vizitoi veriun e Mitrovicës për të parë, siç tha ajo, me sytë e saj, realitetin në këtë pjesë të vendit.

Ajo fillimisht qëndroi në Gjykatën Themelore të Mitrovicës për të kuptuar sfidat që kanë institucionet e drejtësisë pas largimit të gjyqtarëve serbë.

E shoqëruar edhe nga i dërguari i posaçëm për dialog, Peter Sorensen dhe ambasadori i BE, Aivo Orav, Kallas u prit nga Albert Zogaj, kryetar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe gjykatës të tjerë.

Më pas, Kallas pati një takim edhe me përfaqësues të strukturave arsimore që veprojnë në veri sipas sistemit paralel serb që nuk njihet nga Prishtina zyrtare.

“Është e rëndësishme të jesh i pranishëm këtu në veriun e Kosovës në mënyrë që të vëzhgosh drejtpërdrejt situatën dhe të kuptosh narrativat e ndryshme që po qarkullojnë. Të qenët në terren na lejon të dëshmojmë nga afër se çfarë po ndodh në të vërtetë dhe të dëgjojmë atë që njerëzit vetë po thonë. Unë vizitova gjykatën, e cila është funksionale, megjithëse ende po pret kthimin e gjyqtarëve serbë. Gjithashtu u takova me përfaqësues lokalë të shkollave për të kuptuar më mirë sfidat aktuale. Të flasësh drejtpërdrejt me njerëzit dhe të shohësh situatën me sytë e tu është thelbësore për të krijuar një panoramë të saktë”, tha Kallas.

Kallas tha se shqiptarët dhe serbët thonë gjëra të ndryshme për situatën në veri por shtoi se ndërkombëtarët japin një pasqyrë të saktë të situatës.

“Njëra palë po thotë një gjë, pala tjetër po thotë diçka tjetër, por mendoj se forcat ndërkombëtare që janë këtu japin një pasqyrë shumë të përshtatshme, dhe është gjithashtu e rëndësishme të flasësh me njerëzit në terren, dhe pastaj mund të shohim çfarë më shumë mund të bëjmë, në mënyrë që e ardhmja të jetë e begatë dhe e sigurt për të gjithë në Kosovë”, shtoi Kallas.

Pas qëndrimit në pjesën veriore, Kallas u largua në drejtim të Maqedonisë së Veriut duke përmbyllur vizitën e saj të parë në Kosovë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos