Kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe përfaqësues të tjerë të partisë së tij, Lëvizja Vetëvendosje, kanë ashpërsuar tonet ndaj Gjykatës Kushtetuese pasi kjo e fundit pezulloi punën e Kuvendit deri më 30 shtator.
Kjo solli reagimin jo vetëm të vet Gjykatës Kushtetuese por edhe të Zyrës së Bashkimit Europian në Prishtinë.
Të martën reagoi edhe Ambasada e Gjermanisë duke kërkuar që të ndalen sulmet ndaj gjykatës dhe gjyqtarëve të Kushtetueses.
“Ne u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë dhe institucioneve në Kosovë ta respektojnë pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese dhe të gjyqësorit në tërësi, si dhe të përmbahen nga çdo ndërhyrje, përfshirë edhe sulmet personale”, shkruhej në reagimin e ambasadës.
Njohësit e çështjeve politike thonë se sulmet e Kurtit ndaj sistemit të drejtësisë dëshmojnë për qëllimet e tij që të qeverisë i papenguar.
“E para është një projeksion i pasigurisë së tij politike, e dyta opozita nuk ekziston sepse ai me opozitën nuk po merret dhe e treta është deligjitimi edhe i institucioneve të vetem të pavarura që kanë mbetur në shtetin e Kosovës. Ato janë gjykatat”, shprehet Dritëro Arifi.
Vetëvendosje ende nuk ka një marrëveshje koalicioni që do t’i siguronin 61 vota për të votuar kabinetin e ri qeveritar.
Kjo situatë, sipas njohësve tregojnë se Kurti është më i orientuar të shkojë drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
“Vetëvendosje nuk ka gjetur partner që i nënshtrohet, apo partner që e ka numra dhe që nënshtrohet, nuk e ka gjetur dhe nuk po mundet ta gjejë dhe kjo po e lëndon sepse nuk mundet më të lëvizë qysh ka vepruar kur i ka pasur 51% dhe kjo po vërehet që është një defansivë të madhe dhe të gjitha këto sulme ndaj institucioneve të pavarura”, shton Arifi.
Që nga muaji mars, Qeveria aktuale e kryeministrit Albin Kurti është në detyrë dhe ka kompetenca të kufizuara pasi ka përfunduar mandatin e saj të plotë 4-vjeçar. (A2 Televizion)
Sulmet ndaj gjykatës, Kurti dhe LVV nuk kursejnë Gjykatën Kushtetuese
