Kritikat e Kurtit ndaj Kushtetueses, reagon ambasada gjermane: Politika të përmbahet nga çdo ndërhyrje, përfshirë sulmet personale

Nga A2 CNN
9 Shtator 2025, 11:52 | Politikë

Kritikat e Kurtit ndaj Kushtetueses, reagon ambasada gjermane: Politika të

Ambasada Gjermane në Prishtinë ka reaguar pas kritikave për vendimet, që kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca, i drejtuan gjykatës më të lartë të vendit. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, ambasada thekson rëndësinë e pavarësisë gjyqësore si një gur themeli i sundimit të ligjit dhe u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë në Kosovë që të respektojnë pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese dhe gjyqësorit.

“Ambasada Gjermane në Prishtinë thekson rëndësinë e pavarësisë gjyqësore si një gur themeli i sundimit të ligjit. Ne u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë dhe institucioneve në Kosovë që të respektojnë pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese dhe të gjithë gjyqësorit dhe të përmbahen nga çdo ndërhyrje, përfshirë sulmet personale”, thuhet në deklaratën e ambasadës.

Ky reagim vjen dy ditë pasi Kurti kritikoi Kushtetuesen për vendimet që i ka marrë gjatë mandatit të tij qeverisës, dhe ato të muajve të fundit lidhur me konstituim të Kuvendit dhe një ditë pas reagimit të gjykatës kushtetuese. Kjo e fundit ka shprehur shqetësim për “deklarimet e pamatura” të zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe të zgjedhurve politikë.

Përmes një reagimi, Kushtetuesja tha më 8 shtator se pavarësia dhe paanshmëria e saj janë të mbrojtura me Kushtetutë dhe asnjë “institucion, parti politike apo individ nuk mund të ndërhyjë në punën e saj”.

“Çdo përpjekje për të ushtruar presion mbi gjyqtarët kushtetues përbën cenim të parimit themelor të ndarjes së pushteteve dhe minon besimin e qytetarëve në sundimin e ligjit dhe në vetë demokracinë”, u tha në reagim.

Sipas gjykatës në të lartë në Kosovë, vendimet e saj bazohen në Kushtetutë, praktika gjyqësore dhe në standarde ndërkombëtare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos