Kërkesa e Kosovës për të qenë e ftuar speciale në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës u hoq nga rendi i ditës.
Këtë fakt e konfirmoi delegacioni i Kosovës pranë KiE-së, shkruan A2.
Kjo kërkesë ishte në rendin e ditës së takimit të Komitetit, i cili po mbahet në Francë, përkatësisht në Paris.
Ariana Musliu Shoshi, pjesë e delegacionit të Kosovës, ka shkruar se me kërkesë të kryetarit të Grupit të Partisë Popullore Evropiane, Pablo Hispan, u votua për shtyrjen e kësaj pike nga rendi i ditës. Këtë shtyrje, Musliu Shoshi e cilësoi si "një zhvillim të papritur".
Më herët, për një gjë të tillë raportoi edhe kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiç. Gjatë seancës së Kuvendit të Serbisë, ajo tha se është njoftuar nga shefja e delegacionit serb në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Bilana Pantiç. (A2 Televizion)