Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, thotë se nuk i bëjnë aspak përshtypje deklarata dhe kërcënimet e presidentit serb.
Ai thekson se përmes masave që bien në kundërshtim me kushtetutën e Kosovë, Aleksandër Vuçiç kërkon që të ruajë ndikimin, të cilin nuk e ka më në veri.
“Ne nuk frikësohemi, nuk shqetësohemi sepse në atë pjesë të vendit janë institucionet e Kosovës, janë institucionet e sigurisë, janë institucionet politike, janë komunat që funksionojnë”, u shpreh Konjufca.
Kryeparlamentari shton se po të mos ishte Vetëvendosje në pushtet, Veriu do të përfundonte në negociata pas dorëheqjeve të serbëve nga institucionet.
“Kosova do të përfundonte shumë keq nëse pas dhunës, pas kushtëzimeve dhe pas imponimeve, veriu i Kosovës do të përfundonte në negociata”, nënvizoi Konjufca. Ai përsëriti se procesi i dialogut tashmë ka vdekur.
Mes tjerash, kryeparlamentari përgëzoi aktakuzën për Banjskën e ngritur nga Prokuroria Speciale duke vlerësuar se ka goditur në shenjë. (A2 Televizion)