“Kosova nuk trembet, e mbrojmë vendin”, Kurti jep alarmin: Serbia me Rusinë përgatisin kërcënime të reja

Nga A2 CNN
13 Shtator 2024, 20:17 | Politikë

“Vuçiç në koordinim me Rusinë, mbi varrezat masive, po përgatit kërcënime dhe ultimatume të reja ndaj Kosovës”.

Është ky alarmi që lëshohet nga kryeministri Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook, referuar zhvillimeve të fundit dhe fushatës së gjerë të dezinformacionit nga Beogradi.

Shefi i qeverisë detajon qasjen destruktive të Serbisë duke mos lejuar zbardhjen e krimeve makabre në gjenocidin e fundit në Kosovë. Kurti kërkon nga Serbia që të pendohet për krimet, të kërkojë falje, të hapë arkivat e ushtrisë jugosllave dhe të paguajë dëmshpërblimet.

“Ajo ka zgjedhur anën e kundërt, duke përsëritur kërcënimet dhe ultimatumet, ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj, në bashkëpunim dhe koordinim të afërt me Rusinë. Krimet makabre që Serbia para 25 vjetëve i kreu në Kosovë, sot po përsëriten nga Rusia në Ukrainë dhe po synohen që të kthehen prapë në rajonin e Ballkanit”, tha Kurti.

Kryeministri nënvizon se qasja e pushtetit në Serbi ndaj Kosovë është tejet dëshpëruese, pasi fillimisht u normalizua pandëshkueshmëria, ndërsa tani po synohet normalizimi i sulmeve paramilitare dhe terroriste.

“Sot, Kosova është më e fortë se kurrë më parë, nuk trembet nga kërcënimet. Ne mbrojmë të gjithë qytetarët tanë dhe liritë e të drejtat e tyre, integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror të vendit tonë, progresin demokratik e socio-ekonomik të popullit dhe institucioneve tona”, shtoi ai.

Ndër të tjera thekson se kjo që po ndodh aktualisht tregon se la larg është Serbia nga vlerat demokratike dhe sa e mishëruar mbetet me gjenocidin e viteve ’90.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos