
Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu e ka shpallur të konstituuar Kuvendin, pa zgjedhjen e nënkryetarit nga Partia Demokratike e Kosovës. Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme zgjodhi Kujtim Shalën e LDK-së për nënkryetar, nga komuniteti jo serb Emilja Rexhepin dhe Tanja Vujoviçin nga Lista Serbe.
Sipas kryeparlamentares Albulena Haxhiu, konstituimi i Kuvendit të Kosovës nuk do të jetë peng i askujt. Duke komentuar tërheqjen e propozimit të përkohshëm të PDK-së për nënkryetar të Kuvendit, Haxhiu tha se nuk po e ushtron të drejtën kushtetuese prandaj duhet të vazhdohet tutje me nënkryetarë të tjerë.
“Sot është hera e tretë që PDK-ja nuk merr pjesë në seancën konstituvie për të bërë propozimin sipas kushtetutës. PDK ka qenë e njoftuar për seancën konstituvie nuk është e pranishme dhe rrjedhimisht nuk po e ushtron të drejtën për të drejtën kushtetuese. Bazuar edhe në qëndrimin e gjykatës Kushtetuese kuvendi nuk mund të jetë peng i askujt prandaj edhe vazhdojmë me propozimin nga LDK-ja”, tha ajo.
Më herët Partia Demokratike e Kosovës njoftoi tërheqjen e përkohshme të kandidaturës së Vlora Çitakut për pozitën e nënkryetares së Kuvendit të Kosovës, deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese lidhur me situatën e krijuar rreth konstituimit të Kuvendit.
Në një shkresë drejtuar kryetares së Kuvendit, të nënshkruar nga kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, thuhet se vendimi është marrë për shkak të shkeljeve të vazhdueshme dhe të përsëritura të detyrimeve kushtetuese për konstituimin e Kuvendit. (A2 Televizion)