Duket se kriza politike në Kosovë do të vijojë gjatë. Vazhdimi i seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve të qershorit do të mbahet të shtunën paradite, duke hedhur poshtë vendimin e mëparshëm për zhvillimin e seancës ditën e premte.
Kështu ka vendosur kryesuesi i saj, Avni Dehari, pavarësisht se një afat kushtetues për përfundimin e saj mbaronte të premten në mesnatë.
Seanca konstituive mbeti në gjysmë të enjten, kur Dehari vendosi ta shtyjë atë për kohë të papërcaktuar, pas kërkesës së liderit të partisë në pushtet, kryeministrit në detyrë Albin Kurti, për kohë shtesë për bisedime për një marrëveshje politike për formimin e institucioneve të reja dhe dhënien fund të krizës së gjatë politike.
Seanca e radhës do të mbahet të shtunën, në orën 11:00 paradite.
Seanca do të vazhdojë aty ku ka mbetur, me zgjedhjen e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Njoftimi vjen pak orë pasi Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, mbajtën një tjetër takim të pafrytshëm në bisedimet e tyre për një marrëveshje politike.
Pas takimit, Abdixhiku foli për një situatë të vështirë mes palëve. Ndërsa Kurti i kujtoi LDK-së numrat e saj në Parlament.
LDK-ja dhe partia më e madhe opozitare në vend, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e kundërshtuan vendimin e Deharit dhe i kërkuan atij të merrte parasysh aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit brenda afatit 30-ditor.
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, në një konferencë për media, akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, për mosrespektim të rregullave dhe ligjeve, duke bërë thirrje që Kuvendi të konstituohet pa vonesa.
Ekspertët kushtetues thonë për mediat në Kosovë se shpërfillja e këtij afati përbën shkelje kushtetuese. (A2 Televizion)