Vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar dialogun strategjik me Kosovën, siç njoftoi ambasada, për shkak të veprimeve të qeverisë në detyrë dhe deklaratave të fundit, po shihet si tejet shqetësues në vend.
Qeveria në detyrë reagoi duke thënë se mirëpret kritikat dhe se, kurdo që janë konkrete, do të përpiqen maksimalisht të përmirësojnë dhe korrigjojnë hapat e veprimet e tyre.
Por profesori i së drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu, konsideron se krerët shtetërorë duhet ta trajtojnë me seriozitet këtë vendim të aleatit kryesor të Kosovës. “Vendimi i SHBA-ve është shqetësues dhe brengosës. Sidoqoftë, duhet të jetë alarmues kur, në një mënyrë apo tjetër, një shtet kaq i rëndësishëm, që është eksponenti kryesor i aleancës strategjike të Kosovës, merr një vendim të tillë. Kjo duhet të merret si një alert, si diçka që duhet të trajtohet shumë seriozisht dhe të riparohet sa më parë. Marrëdhëniet e tilla nuk mund të konsiderohen normale nëse ka pezullim të dialogut strategjik”, tha Baraliu, përcjell A2 CNN.
Pas vendimit për të pezulluar dialogun strategjik me Kosovën, liderët e partive opozitare në vend (PDK, LDK dhe AAK) zhvilluan takim me përfaqësues të SHBA-së në Ambasadën Amerikane në Kosovë.
Lidhur me çështjen reagoi edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila shprehu keqardhje dhe shqetësim të thellë rreth vendimit për pezullimin e Dialogut Strategjik, një mekanizëm i rëndësishëm i bashkëpunimit mes Kosovës dhe SHBA-ve. Në një deklaratë të Presidencës thuhet se çështja e aleancës me SHBA-të është çështje strategjike që kërkon unitet politik dhe angazhim të të gjithëve në Kosovë.
Vendimi i Shteteve të Bashkuara erdhi në një kohë kur liderët e Lëvizjes Vetëvendosje po kritikojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit, duke e quajtur gjykatën më të lartë të vendit “hije politike e opozitës ndaj LVV-së”. (A2 Televizion)