Pajtimi “i madh” me Kurtin, analistët: Osmani po bën llogaritë në përfundim të mandatit

Nga Ideal Gola
12 Shtator 2025, 19:21 | Politikë

Pas një periudhe me dallime në qëndrime ndërmjet presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit në detyrë Albin Kurti duket se ka ndodhur edhe pajtimi.

Osmani dhe Kurti tashmë situatën me konstituuimin e Kuvendit e shohin në këndvështrimin e njëjtë duke u pozicionuar kundër Listës Serbe që iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar pozitën e nënkryetarit të Parlamentit që i takon komunitetit serb.

Ky pajtim nuk shihet si rastësi në Prishtinë pasi analistët mendojnë se Osmani ka filluar të mendojë për të ardhmen e saj politike.

“Ky është një pajtim i bazuar në kalkulime politike të zonjës presidente dhe tani deputetit Albin Kurti në mënyrë që nëse shkohet në zgjedhjet e ardhshme kjo ka filluar t’i rregullojë raportet e veta, ka qëllime të kthehet përsëri në skenën politike dhe e sheh si një mundësi që t’i rregullojë këto raporte sepse e di që e vetme për të formuar një parti do ta ketë të pamundur nëse garon e vetme”, tha Magbule Shkodra, analiste.

“Asnjëherë nuk bën të neglizhohen ambiciet politike të zonjës Osmani dhe ajo është e vetëdisjshme, është e qartë, që këto ambicie mund t'i realizojë më lehtë vetëm në bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje më shumë se ndonjë parti tjetër dhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës ngase deri më tani edhe LDK në masë të madhe ka qenë shërbëtore politike e presidentes Osmani”, tha Afrim Kasolli analist, shkruan A2 CNN.

Sipas analistëve, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike do të mund të pajtoheshin për ta shtyrë Osmanin drejt një mandati të dytë në Presidencë.

Kjo për faktin se në rast të rikthimi në aktivitetin partiak do të mund të dëmtonte pikërisht këto dy parti.

“Nëse Vjosa Osmani rikthehet aktivisht në jetën politike nëpërmjet një formacioni partiak ajo në radhë të parë do t'i dëmtonte elektoralisht këto dy subjekte politike prandaj që të mos kenë telashe me të sa i përket humbjes së trupit elektoral mund të ndodhë që si LVV dhe LDK të shprehin gatishmëri e vullnet për t’ia vazhduar mandatin e njëjtë presidentes Osmani”, tha Kasolli.

Megjithatë edhe në rast të një angazhimi të Osmanit në skenën politike në pozicionin tjetër nga sa ka tani, nuk shihet ta bëjë pa Kurtin.

“Dëshira e saj do të ishte që të ishte presidente sepse më lehtë e ka presidente mirëpo duke parë që ndoshta nuk është shumë e sigurt pranon që ndoshta për kalkulime politike të afrohet me Albin Kruti në mënyrë që të jenë së bashku në një listë, të garojnë dhe pastaj të shohim a do të bëhet Albin Kurti president apo Vjosa Osmani, varësisht si e zgjidhin”, u shpreh Shkodra. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos