"Kosova të shkëputet nga ndërkombëtarët", Mujanoviç akuzon Lajçak: Lob i fuqishëm pro serb në BE e SHBA

Nga A2 CNN
8 Shkurt 2024, 16:37 | Politikë

Dëshira e Kosovës për të shtrirë shtetësinë dhe sundimin e ligjit, në të gjitha dimensionet dhe në çdo pjesë të territorit të vet, po çon në një krisje të raporteve me ndërkombëtarët, të cilët po e akuzojnë për veprime të njëanshme dhe të paakordinuara. Qeveria Kurti po e gjen veten mes dy zjarreve; atë për t’i treguar qartë dhe fort kufijtë Serbisë, dhe për të mos i cenuar raportet me partnerët që e ndihmuan të bëhej shtet. Por eksperti i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, politologu dhe autori i dy librave, Jasmin Mujanoviç, nga Bosnje-Hercegovina me banim në SHBA, mendon se ka ardhur koha që Kosova të shkëputet nga ndikimi i ndërkombëtarëve dhe të forcojë qeverisjen e brendshme. Ai e quan një iluzion besimin e BE dhe SHBA se duke e përkëdhelur Serbinë do ta largojnë nga orbita ruse, ndërsa paralajmëron për përsëritje te incidenteve si ai i Banjskës. Serbia sipas tij, është një arkitekte e destabilitetit në rajon, që zgjidhjen e sheh tek dhuna.

Intervista e plotë e Dr. Jasmin Mujanoviç - politolog, ekspert për çështjet e Ballkanit Perëndimor për A2 CNN

Z. Jasmin Mujanovic, faleminderit që jeni me ne sot. Është një kënaqësi.

Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara po kritikojnë Kosovën mbi vendimin për dinarin serb dhe mbylljen e strukturave paralele. Ata po paralajmërojnë me pasoja, në procesin e integrimit. Po veprojnë drejtë?

Jam i sigurt se do të ketë pasoja për Kosovën, por kjo është një çështje e veçantë nga procesi i integrimit, i cili nuk ekziston si për Kosovën ashtu edhe për pjesën tjetër të rajonit. Kështu që në këtë kuptim nuk është një kërcënim i besueshëm në vetvete. Mendoj se ka një shkëputje thelbësore mes asaj që po përpiqet të bëjë qeveria e Kosovës, që është të ushtrojë sovranitetin e saj në çdo pjesë të territorit të saj dhe të sigurojë që sundimi i ligjit të zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjitha segmentet e territorit të Kosovës dhe për të gjitha komunitetet brenda saj. Ndërsa ajo qe BE-ja dhe SHBA-ja po përpiqen vazhdimisht të bëjnë, është krijimi i një lloj sistemi paralel për Serbinë për të mbajtur një lloj regjimi gati qeverisës brenda territorit të Kosovës, i cili padyshim nuk do të funksionojë. Dua të them, nuk do të jetë e pranueshme në thelb për qeverinë në Prishtinë. Por nuk është gjithashtu një mënyrë e arsyeshme, që të tentojnë të fusin Kosovën në Bashkimin Evropian, gjë që pretendojnë se duan të bëjnë, ndërsa në të njëjtën kohë, padyshim që mbyllin plotësisht një sy ndaj faktit që në Serbi kemi një regjim autoritar. Në Kosovë, ne kemi një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe një sistem politik të gjallë demokratik. SHBA-ja dhe BE-ja mund të mos e pëlqejnë domosdoshmërisht qeverinë aktuale. Atyre mund të mos u pëlqejnë ata që qytetarët e Republikës së Kosovës kanë zgjedhur për t'i përfaqësuar, por megjithatë është një sistem elektoral demokratik, ndryshe nga ai që kemi në Serbi.

Po, në Kosovë po bëhet gjithnjë e më e fortë ideja se Brukseli nuk po tregohet neutral. Ka sanksione në fuqi për Kosovën, ndërsa Serbia mbetet e pandëshkuar pas sulmit të Banjska. A po tregohen të butë me Serbinë, përse?

Dua të them, absolutisht që po tregohen të butë. Dhe kjo nuk po ndodh vetëm kohët e fundit. Unë jam një nga njerëzit që vuri në dukje absurditetin kur u emërua komisioni I fundit I BE. Ne kishim një situatë ku edhe shefi i Politikës së Jashtmë të Bashkimit Evropian edhe I dërguari i posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, vinin nga shtete mosnjohëse të pavarësisë.

Mendoj se ai mesazh ishte shumë, shumë i zhurmshëm për sa i përket asaj që po përpiqej t'i përcillte Kosovës.  Mendoj që foli shumë negativisht se sa seriozisht e mori Brukseli sovranitetin e Kosovës dhe aspiratat politike të qytetarëve të saj. Për sa i përket arsyes pse Serbia vazhdon të gëzojë një trajtim kaq të favorshëm si nga SHBA ashtu edhe nga BE mendoj se është një lloj i veçantë i të menduarit strategjik nga ana e tyre. Si politikëbërësit evropianë ashtu edhe ata amerikanë punojnë me iluzionin se ekziston mundësia që ata, ta nxjerrin Serbinë nga orbita e Rusisë, duke e tërhequr Serbinë nga Rusia. Kjo nuk do të ndodhë. Nëse do të kishte një shans për ta bërë këtë. Ky shans ka kaluar shumë kohë më parë, afërsisht dhjetë vjet më parë. Por është ende një tezë shumë e njohur si në Bruksel ashtu edhe në Uashington. Për fat të keq. Megjithatë, ekziston edhe fakti se qeveria serbe ka një rrjet shumë të sofistikuar ndikimi, si në Bruksel ashtu edhe në Uashington. Pra, ata kanë shpenzuar miliona dollarë duke u përpjekur për të lobuar tek zyrtarë dhe figura të ndryshme si në Bruksel, në kryeqytete individuale evropiane, si dhe në Uashington. Me sa di unë, edhe pse Kosova ka një shërbim diplomatik shumë të fuqishëm dhe shumë të aftë, ky lloj lobimi nuk po bëhet nga Republika e Kosovës. Dhe kjo mendoj se lidhet me arsyen pse mendoj se ne shohim një shkëputje kaq thelbësore në mënyrën se si SHBA dhe BE e trajtojnë Serbinë kundrejt Kosovës.

Po shohim një garë armatimesh në rajon. Serbia po i demonstron botës mbështetjen e fortë nga Rusia, së fundmi me një sistem anti-dron. A ka një potencial për luftë…?

Mendoj se varet se çfarë kuptojmë me luftë. Unë gjithmonë them se situata e sigurisë në rajon në përgjithësi është përkeqësuar gjatë viteve të fundit. Sigurisht, nëse krahasojmë, për shembull, ku jemi sot në vitin 2024, ne krahasim me 2014, i cili ishte gjithashtu një vit i keq, sepse ishte fillimi i pushtimit të parë rus të Ukrainës, mund te themi se është përkeqësuar më shumë. Më keq në të gjithë botën, jo vetëm në Kosovë, ku padyshim kemi parë përkeqësimin më dramatik të kushteve të sigurisë pas Banjskës, por edhe sulmet ndaj trupave të KFOR-it nga nacionalistët serbë. Kemi, për fat të keq, situata shumë të rrezikshme që po zhvillohen vazhdimisht, si në Bosnje ashtu edhe në Mal të Zi, ku Serbia është njëfarë arkitekti kryesor i destabilitetit, megjithëse në Bosnje kemi edhe problemin e shtuar të Kroacisë, për fat të keq. Unë mendoj se gjasat e një lloj incidenti të dhunshëm, siç e pamë në Banjskë mbeten shumë më të larta se sa duhet. Sigurisht në Kosovë. Unë nuk mendoj se përballemi me rrezik të menjëhershëm të luftës, të paktën si ajo që pamë në vitet 1990. Por sigurisht, ajo që Serbia po bën me sigurimin e armatimeve, po sinjalizon shumë qartë si për rajonin ashtu edhe për komunitetin ndërkombëtar se Aleksandër Vuçiç dhe Beogradi vazhdojnë ta shohin dhunën si një mjet praktik për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve politike, dhe kjo padyshim është shumë , shumë alarmante.

Shumë vite dialog të lehtësuar nga BE mes Kosovës dhe Serbisë nuk kanë prodhuar një zgjidhje të qëndrueshme për krizën. A mendoni se është koha që Brukseli të ndryshojë qasjen?

Dua të them, po, padyshim, por mendoj më e rëndësishmja, mendoj se është koha që Kosova të ndryshojë qasjen e saj. Natyrisht, Kosova është një vend i vogël, ka burime të kufizuara, por mendoj se është e rëndësishme që liderët e Kosovës dhe po ashtu edhe publiku kosovar të fillojnë të këmbëngulin në vendosjen dhe forcimin e qeverisjes vendore dhe kapacitetet sovrane për qeverisjen e brendshme. Është mirë të shpresosh dhe të urosh për anëtarësim në BE, por kjo nuk është një ngjarje e mundshme në të ardhmen e afërt. Është gjithashtu shumë e qartë se derisa të ketë një ndryshim rrënjësor në drejtimin politik dhe ideologjik të qeverisë së Serbisë, çka nuk do të ndodhë nën udhëheqjen e Aleksandër Vuçiç, çdo lloj normalizimi kuptimplotë midis Prishtinës dhe Beogradit nuk është në radar. Mendoj se përgjegjësia është e liderëve të Kosovës dhe publikut të Kosovës që të investojnë në demokracinë e tyre, të investojnë në sovranitetin e tyre dhe të tregojnë se është një shtet i qëndrueshëm dhe funksional. Kjo domosdoshmërisht do ta çojë Kosovën në një farë mase në konflikt me BE-në dhe SHBA-në. Por mendoj se në fakt është një konflikt që në fund do të jetë shumë produktiv për Kosovën. Mendoj se gjeneratat e kaluara të liderëve të Kosovës, ashtu si liderët në Bosnje, janë bërë shumë të varur nga tekat e bashkësisë ndërkombëtare. Dhe kjo ka ardhur me shpenzime të mëdha, të mëdha si për Kosovën ashtu edhe për sovranitetin e Bosnjës. Mendoj se në një farë mënyre ajo që kemi parë gjatë viteve të fundit në lidhje me mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së për Kroacinë dhe agjendën shumë keqdashëse të Kroacisë në Bosnje Hercegovinë është një shenjë paralajmëruese për Kosovën se sa e paqëndrueshme mund të jetë mbështetja amerikane dhe evropiane. Gjëja më e rëndësishme për Kosovën është që të ketë kapacitetet e veta, aftësinë e saj për të zbatuar dëshirat e veta, politikat e veta, prioritetet e veta brenda territorit të saj. Nëse do të ketë një të ardhme evropiane për Kosovën, kjo do të vijë me kohë. Por barra duhet të jetë në forcimin e qeverisjes së brendshme dhe demokracisë së brendshme.

Por si mund ta bëjnë këtë, pa mbështetjen ndërkombëtare?

Epo, shiko, unë mendoj se mbështetja ndërkombëtare nuk është e parëndësishme, por nuk mund të presësh që Bashkimi Evropian ose SHBA të ndërtojnë vendin tuaj për ju. E drejtë? Përsëri, e njëjta gjë është e vërtetë për Bosnje Hercegovinën. Mendoj se ka shembuj të vendeve në botë që kanë arritur të kenë më shume sukses pa u mbështetur tek komuniteti ndërkombëtar për sa i përket qeverisjes së brendshme dhe kapaciteteve sovrane. Unë gjithmonë mendoj se për Kosovën, për shembull, Tajvani është një shembull shumë i suksesshëm. Tajvani nuk ka njohje ndërkombëtare në komunitetin e gjerë, por është një vend jashtëzakonisht i begatë me një demokraci të gjallë dhe një pengesë ushtarake shumë, shumë të besueshme kundër pushtimit kinez. Kjo është diçka që liderët e Kosovës duhet ta shohin në mënyrë më proactive, dhe jo të rrinë me shpresën se njerëzit si Miroslav Lajçak do të ndryshojnë papritur mendjen e tyre. Miroslav Lajçak nuk do të ndryshojë mendje. Minoslav Lajçkak është i kompromentuar dhe i paaftë. Pra, Kosova ka një nga dy opsionet. Ose te fillojë të lobojë fort në mënyrë  agresive, duke shpenzuar burime shumë të mëdha në vende si Brukseli dhe Uashingtoni për të ndryshuar dalë ngadalë, me kalimin e kohës, perspektivat e liderëve amerikanë dhe evropianë, ose të fillojë të përqendrohet shumë seriozisht në kapacitetet e brendshme të qeverisjes. Idealisht, të dyja këto gjëra do të ndodhin njëkohësisht. Por më duhet të them se mendoj se qeveria aktuale në Kosovë e ka kuptuar mjaft mirë këtë situatë. Kjo ka qenë e qartë gjatë një apo dy viteve të fundit, ku kemi parë që qeveria e Kosovës ka këmbëngulur në cilësinë e demokracisë vendase, cilësinë e qeverisjes vendore, dhe që sundimi i ligjit të zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë. Mendoj se kjo është në fakt rruga e duhur. Dhe kjo sinjalizon se në këtë kohë me sa duket kemi një gjeneratë të liderëve të Kosovës që e kuptojnë situatën pak më mirë. Përsëri, i ka sjellë në konflikt me segmente të komunitetit ndërkombëtar. Por unë mendoj se në periudhë afatgjatë ai konflikt do të jetë realisht produktiv dhe do të jetë më i dobishëm për Kosovën në aspektin strategjik . Përfundimisht do të rezultojë në një marrëdhënie më të mirë me BE-në dhe SHBA-në.

Z. Mujanoviç, sa e përfshirë mund të jetë Rusia në tensionet e fundit në Ballkan? 

Shikoni, ata janë të përfshirë. Ata kanë qenë të përfshirë për pjesën më të madhe të një dekade e gjysmë, ne e dimë se Serbia është partneri kryesor politik i Rusisë në këtë rajon, i cili gjithashtu përfshin domosdoshmërisht rrjetin kompleks të aktorëve politikë nacionalistë serbë në të gjithë rajonin, më së shumti Milorad Dodik në Bosnje Hercegovinë, por edhe disa nga partitë nacionaliste serbe në Mal të Zi, si dhe elementë nacionalistë serbë në Kosovë. Pra, Rusia ka absolutisht një interes në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, por ky është një interes që tashmë në masë të madhe është aktualizuar dhe realizuar nga Serbia. Pra, Rusia nuk ka pse të bëjë asgjë më shumë se ajo që po bën Serbia tashmë. Rusia kryesisht i shërben Serbisë për një lloj mbështetjeje diplomatike dhe politike. Por agjenda e Rusisë dhe Serbisë në një lloj kuptimi strategjik është shumë e përafërt. Dhe ne e dimë që të paktën nga fillimi deri në mes të dekadës së mëparshme, veçanërisht që nga rënia e qeverisë Gruevski, në atë që tani është Maqedonia e Veriut. Ne kishim një grumbull të tërë dokumentesh të zbuluara që dolën në atë kohë që tregonin shumë qartë se kishte një bashkëpunim shumë, shumë të sofistikuar mes operativëve të inteligjencës serbe dhe ruse në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Dhe ne duhet të besojmë absolutisht se kështu po vazhdon edhe sot.

Zoti Mujanovich, ju faleminderit që ishit sot me ne, duke ndarë opininin tuaj ! (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos