Nga Prishtina ku po ndjek nga afër zgjedhjet parlamentare në Kosovë, gazetari i A2 CNN, Indrit Maraku, vlerësoi se procesit konsiderohet përgjithësisht më i rregullt dhe më i qetë krahasuar me ato në Shqipëri.
Në një lidhje me Andi Nurajn Në A2 CNN Maraku theksoi se një nga elementët që bie në sy është normaliteti me të cilin qytetarët pranojnë bindje të ndryshme politike edhe brenda të njëjtës familje. Sipas tij, kjo ndikon që zgjedhjet në Kosovë të zhvillohen pa tensione të mëdha.
“Më ka bërë përshtypje gjatë këtyre orëve të fundit nga bisedat me disa qytetarë të Prishtinës, është për shembull fakti se konsiderohet mjaft normale që dhe brenda një familje të ketë preferenca të ndryshme politike. Një djalë i ri dje po më thoshte se ai vetë për shembull ishte mbështetës i Vetëvendosjes, babai i tij ishte mbështetës i PDK-së, ndërsa e shoqja ishte mbështetëse e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kjo tregon, besoj unë mjaft, për mënyrën se si përjetohet politika këtu. Kur i shikon nga ekrani, le të themi gjuha, toni është mjaft i egër, por jashtë ekraneve deri diku konsiderohet si normale që të ketë këndvështrime të ndryshme dhe kjo ndoshta shpjegon dhe pse zgjedhore në Kosovë relativisht janë më të qeta, më të rregullta, pa probleme madhore në krahasim me ato të Shqipërisë ndoshta”, tha ai në A2 CNN.
Megjithatë, ai vuri në dukje se qytetarët ndihen të lodhur nga proceset e shpeshta zgjedhore, pasi kjo është hera e tretë brenda 16 muajve që Kosova zhvillon zgjedhje parlamentare. Sipas Marakut, ekziston edhe skepticizëm nëse këto zgjedhje do të prodhojnë një zgjidhje të qëndrueshme për ngërçin politik dhe institucional.
"Nga bisedat me qytetarët këtu në Prishtinë ndjehet një lloj lodhje nga kjo qasje e politikës së tyre për t'i rikthyer herë pas here në zgjedhje, për ta kërkuar zgjidhjen tek vota dhe çfarë duket sikur është akoma më problematike nga këto biseda është një lloj ndjesie se edhe ky proces zgjedhor me gjasa nuk do të sjellë një zgjidhje për të dalë nga situata dhe nga ngërçi institucional dhe politik që ka përfshirë Kosovën prej më shumë se një viti”, tha ai në A2 CNN.
Sa i përket fushatës, gazetari theksoi se ajo ishte e shkurtër dhe e fokusuar kryesisht në mitingje dhe rrjete sociale, ndërsa komunikimi i drejtpërdrejtë me qytetarët ishte më i kufizuar.
Sipas tij edhe në Kosovë vazhdon të jetë i fortë fenomeni i “partisë së kryetarit”, duke e bërë të vështirë ndarjen mes votës për logon dhe votës për liderin politik.
“Ka një tipar që e bashkon politikën e Prishtinës me atë të Tiranës dhe është ky efekti i partisë kryetar. Edhe këtu më bëri përshtypje që mediat e Prishtinës referuar përmbylljes së fushatës nga ajo që dikur quhej Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, sot quhet vetëm Aleanca, i referoheshim mesazhit të zotit Haradinaj që zyrtarisht nuk është më kryetar ,por është kryetar nderi siç dikur ne shikonim në Shqipëri që vëmendjen kryesore e merrte Sali Berisha ndonëse kryetar dejure ishte Lulëzim Basha. Kështu që mbetet shumë e lidhur kjo logo e partisë me emrin e kryetarit. Ndonjëherë është e pamundur të bësh një ndarje të mirëfilltë, nëse votohet logo apo kryetari. Janë mjaft të ndërlidhura”, theksoi ai, duke shtuar se një risi e këtyre zgjedhjeve është prania e një numri të madh kandidatësh të rinj, që përbëjnë më shumë se gjysmën e listave zgjedhore.
“Për kandidatët pastaj mund të ndryshojë çështja. ka një risi në këto zgjedhje dhe ndoshta kjo vlen të theksohet sa i përket listave të kandidatëve dhe këtu ndryshon nga Shqipëria në lista. Në këto parë zgjedhje vihet re fakti që më shumë se gjysma e listave të kandidatëve në tërësi janë emra të rinj. Janë emra që kërkojnë për herë të parë një përfaqësim në Kuvend”. (A2 Televizion)