
Qytetarët e Kosovës i drejtohen këtë të diel kutive të votimit për zgjedhjet parlamentare, duke shënuar procesin e tretë zgjedhor kombëtar brenda 16 muajsh.
Mbi 2 milionë shtetas kanë të drejtë vote në këto zgjedhje, të cilat konsiderohen të rëndësishme për përcaktimin e drejtimit politik të vendit në vitet e ardhshme.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, lista e votuesve përfshin 2.092.174 qytetarë, ose 15.884 më shumë se në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025. Prej tyre, 1.959.962 votojnë brenda territorit të Kosovës, ndërsa 132.212 janë regjistruar për të votuar nga diaspora.
KQZ bëri të ditur gjithashtu se 22.685 qytetarë ushtrojnë për herë të parë të drejtën e votës.
Procesi i votimit nisi zyrtarisht në orën 07:00 në 949 qendra votimi me 2.550 vendvotime në të gjithë vendin. Pas votimit të tij, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, u bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë në proces dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka bërë të ditur se procesi i votimit ka përfunduar në 26 përfaqësi diplomatike të vendit në 16 shtete, ku nga 27.724 votues të regjistruar kanë votuar 22.414 qytetarë, ose 80.85% e tyre. Sipas KQZ-së, procesi u zhvillua pa probleme, ndërsa fletëvotimet e hedhura në ambasada dhe konsullata nuk do të numërohen aty, por do të transportohen në Kosovë për numërim gjatë ditëve në vijim..
Për qytetarët që nuk mund të paraqiten në vendvotimin e tyre të rregullt, janë hapur 38 qendra për votim me kusht, një në secilën komunë. Këto vota do të verifikohen dhe numërohen në ditët pas zgjedhjeve për të shmangur çdo mundësi votimi të dyfishtë. (A2 Televizion)