“Zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë janë zgjedhje “presidenciale”, nuk janë zgjedhje parlamentare”. Kështu i sheh eksperti për marrëdhëniet ndërkombëtare, Marlind Laçi, sipas të cilit për çështjen e parlamentit, populli i Kosovës ka folur rreth tre herë dhe ka mandatuar kryeministrin Kurti për t'i qeverisur. Në studion e Dita Jonë në A2 CNN analisti tha se populli i Kosovës këtë herë do të flasë më bindshëm.
“Ka dhe njerëz që shprehen që populli foli nuk ja dha shumicën Kurtit, por 51% është shumica. Kam ndjekur shumë emisione dhe kam parë që mendojnë se 49% është më i madh se 51% dhe ky është problem matematikor më tepër sesa politik. Populli i Kosovës është shprehur qartë që me 51% 51.9% mos gaboj zgjedhjet e 28 dhjetorit. Unë gjykoj se përsëri do flasë dhe do flasë akoma më bindshëm edhe për shkak se presidenti është bërë një post pengmarrës i republikës. Nuk mund të jetë një post që ka një rol honorifik, të tejkalojë vullnetin demokratik të popullit”, tha ai në Dita Jonë në A2 CNN.
Sipas tij, Vjosa Osmani ndërmori akt dhe tentoi shpërbërjen e parlamentit duke shkelur kushtetutën. Laçi thekson se ish-presidentja ka probleme në egon politike.
“Ndërmori akt dhe ajo tentoi shpërbërjen e parlamentit, u dërgua në Gjykatën Kushtetuese dhe ishte antikushtetuese. Imagjino një presidente që shkel kushtetutën dhe më pas kalon bën një piruetë të madhe që kalon nga roli i presidentes, i bashkohet LDK-së, ku më herët ishte shprehur që unë kurrë nuk them LDK, atëherë do të thotë që ka disa probleme në raportin e egos politike. Nuk ka asgjë të kesh ego politike, por që ka dhe parime politike përveç egos, që gjykoj se parimet do duhet të prevalojnë gjithmonë mbi egon e çdokujt, sepse nuk bëhet fjalë për çështje personale, bëhet fjalë për çështje shtetërore”.
Në këto kushte ai shpreson që kryeministri Kurti të ketë përsëri rritje në këto zgjedhje, por edhe për reflektim të opozitës.
“Shpresoj që të ketë aq rritje, saqë të tejkalojë çdo krizë politike dhe të jetë e mundur edhe zgjedhja e presidentit. Sigurisht që shpresoj për një reflektim edhe të krahëve të tjerë politikë. Shpresoj për një reflektim të PDK-së që mbase në gjykimin tim në aspektin politik është më objektive se pjesa tjetër e opozitës, qoftë LDK-ja, qoftë dhe AAK-ja dhe shpresoj që të ketë një farë marrëveshje për tejkalimin e kësaj krize, që për hir të së vërtetës është një peng i madh kushtetues i lënë në mesin e Kosovës si një formë shantazhi nga ata të cilët e kanë përpiluar Kushtetutën e Kosovës”, u shpreh Laçi. (A2 Televizion)