Një javë pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese rreth ngërçit në Kuvendin e Kosovës dhe tri seanca më vonë, situata nuk ka ndryshuar.
Pesë emra dhe gjashtë votime të dështuara për të zgjedhur kryeparlamentarin e ri kanë konfirmuar se problemi me konstituuimin mbetet më shumë politik sesa procedural.
Fakti që Lëvizja Vetëvendosje hodhi në votim edhe një kandidat si Dimal Basha që nuk ka qenë ministër, ashtu siç kishin kërkuar PDK dhe AAK, shihet si një zhvillim pozitiv, pavarësisht se as ai nuk mori 61 vota.
“Në situatën e tanishme kur afati 30 ditor do të kalojë mjaft shpejtë është e paqartë se pse po konsumohet afati maksimal kohor prej 48 orësh [për të ftuar seanca], kur z. [Avni] Dehari mund të ftojë seanca çdo ditë e madje mund t’i ftojë disa brenda ditës dhe unë besoj në këtë drejtim do të konsumoheshin sa më shumë kandidatura deri të gjendet kandidatura e suksesshme”, tha për A2 CNN, Eugen Cakolli, njohës i punës së Kuvendit.
Kushtetuesja nuk ka përcaktuar pasojën juridike nëse edhe pas datës 17 shtator, kur mbyllet afati 30 ditor, Kuvendi nuk arrin të zgjedh kryetarin dhe nënkryetarët dhe të konstituuohet.
“Besoj që mungesa e përcaktimeve nga ana e Gjykatës Kushtetuese mbi pasojat juridike që ka moskonsttiuuimi i Kuvendit qoftë për deputetët individualisht apo për Kuvendin në tërësi, është element i cili mbase po i mban në një lloj komoditeti politik të gjithë deputetët e në veçanti ata të Lëvizjes Vetëvendosje”, shtoi Cakolli.
Presidentja Vjosa Osmani kishte dërguar kërkesë në Kushtetuese ndër të tjera edhe për të sqaruar pasojat nëse nuk ka Kuvend të funksionalizuar edhe pas 30 ditësh.
Pavarësisht se ajo e tërhoqi të njëjtën për shkak të gjyqtarit Radomir Llaban, Kushtetueses i kërkohet të nxjerrë një vendim pasi është në interesin shtetëror të sqarohet dhe të parandalohen situata të tilla në të ardhmen.
“Unë besoj që kur deputetët do ta dinë pasojën juridike, e që unë besoj ka më së shumti gjasa të jenë zgjedhjet e parakohshme, shumë prej deputetëve do të silleshin në mënyrë shumë më racionale e objektive e jo me një tendencë të tillë të zvarritjes së procedurave.”
Deri më tani Vetëvendosje ka propozuar për kryeparlamentar ministrat Albulena Haxhiu, Donika Gërvalla, Arbërie Nagavci dhe Hekuran Murati. Ky i fundit është i vetmi që ka konsumuar dy nga tre raunde votimi të lejuara.
Seanca e radhës do të mbahet të martën. (A2 Televizion)