“E mbrojmë Kosovën nga kërcënimet”, Presidentja thirrje partive: Lërini dallimet, konstituojeni Kuvendin

Nga Xhevahir Qardaku
25 Gusht 2025, 14:29 | Politikë

Presidentja thyen heshtjen për vazhdimin e ngërçit në kuvendin e Kosovës. Vjosa Osmani u kërkon partive politike që të lënë anash dallimet dhe të vendosin interesin e vendit të parin. Në një intervistë për median polake TVP nga Austria, presidentja nënvizoi faktin se Kosova mund të humbasë shumë këto kohë, pasi bota lëviz shpejt dhe mundësitë ikin.

“Problemi është mungesa e marrëveshjes mes partive politike për të formuar shumicën parlamentare, për shkak të polarizimit dhe mungesës së besimit. Dhe kjo është e dëmshme, sepse humbasim projekte të BE-së, humbasim një mundësi të artë që kemi tani edhe me administratën e re amerikane. Si presidente bëj shumë përpjekje dhe arrij marrëveshje, por ato duhen miratuar në parlament ose zbatuar nga qeveria. Prandaj u bëj thirrje partive politike të lënë anash dallimet dhe të vendosin interesin e Kosovës të parin, duke krijuar një shumicë parlamentare që e çon Kosovën përpara. Sepse bota nuk do të na presë. Dritaret e mundësive hapen për një kohë shumë të shkurtër për vende si ne. Dhe është e rëndësishme të kapim momentin, sepse nuk kemi luksin të presim gjatë”, tha Osmani.

Presidentja theksoi se Kosova është gati për në Bashkimin Europian pasi ka përshtatur shumë politika me ato të Unionit. Zonja Osmani komentoi edhe protestat në Serbi, duke paralajmëruar një rrezik të shtuar për vendin, por edhe të gjithë rajonin, shkruan A2 CNN.

“Sa herë që ka probleme brenda vendit, Vuçiç përpiqet të shkaktojë probleme në Bosnje, Kosovë dhe rajon, për të përdorur kartën nacionaliste dhe për t’u shitur si shpëtimtar. Kështu që nuk mendoj se ai do të fokusohet te protestuesit. Përkundrazi. Ai do të përpiqet të zhvendosë vëmendjen diku tjetër. Ne jemi të përgatitur të mbrojmë vendin tonë dhe të ndalim çdo agresion që ai mund të ketë në mendje”, shtoi ajo.

Presidentja e Kosovës shtoi më tej se lideri serb, Aleksandër Vuçiç, bën një lojë me dy karrige në gjeopolitikë, por aktualisht është ulur vetëm në karrigen e Rusisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos