Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka denoncuar këtë të diel një episod të shëmtuar të ndodhur në dëm të disa shtetasve të Kosovës, të cilët po përpiqeshin të futeshin në Ukrainë.
“Ka dhjetëra shtete që ende nuk e kanë njohur Kosovën, por pothuajse të gjitha u lejojnë qytetarëve tanë hyrjen me pasaportë kosovare. Sot, Ukraina ka kthyer shtetasit e Kosovës në pikën kufitare me Moldavinë, jo vetëm që i ka refuzuar, por i ka ofenduar dhe keqtrajtuar, madje duke i quajtur “terroristë”. Ky nuk është rasti i parë: para disa vitesh, e njëjta Ukrainë veproi në mënyrë skandaloze me ekipin tonë kombëtar të futbollit, të cilët u detyruan të udhëtonin në Gjeorgji për të zhvilluar ndeshjen”, shkruan Pacolli në një status në Facebook, përcjell A2 CN.
Pacolli kërkon reagim nga autoritetet shtetërore për këtë sjellje nga pala ukrainase. “Ne këtu në Kosovë vazhdojmë të tregojmë solidaritet dhe dhimbje për ta, ndërkohë që ata na poshtërojnë. A nuk është koha të rishqyrtojmë qëndrimet tona ndaj atyre që nuk na respektojnë as dinjitetin më minimal?”. (A2 Televizion)