KQZ pranon peticionin e serbëve për 4 komunat në veri

Nga Ideal Gola
25 Janar 2024, 14:57 | Politikë

KQZ pranon peticionin e serbëve për 4 komunat në veri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar kërkesën për verifikimin e nënshkrimeve të mbledhura në të katër komunat veriore me shumice serbe për shkarkimin e kryetarëve aktualë shqiptarë.

“Mund t'ua konfirmoj se gjatë ditës së sotme kemi pranuar edhe kërkesat për verifikim të nënshkrimeve të mbledhura në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zveçan dhe Leposaviq. Ndërkaq, siç kemi njoftuar, më parë kemi pranuar edhe kërkesën të njëjtë edhe nga Zubin Potoku”, deklaroi zëdhënësi i KQZ, Valmir Elezi.

KQZ tani duhet të konfirmojë nëse ata që kanë  firmosur janë votues në këto komuna. “KQZ, në përputhje me legjislacionin në fuqi, do të verifikojë listën e nënshkrimeve, pra nëse nënshkruesit janë qytetarë me të drejt vote në komunën përkatëse”, vijoi Elezi.

Nëse KQZ-ja konfirmon se gjithçka është në rregull, atëherë organizohet votimi për shkarkimin e kryetarit, i cili duhet të mbahet brenda 45 ditësh.

Në këtë votim kërkohet që pro shkarkimit të jenë 50% plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote. Në rast se nuk arrihet përqindja e kërkuar, iniciativa konsiderohet e pasuksesshme dhe një nismë e ngjashme nuk mund të ndërmerret pa kaluar 1 vit.

Në rast se votimi është i suksesshëm, atëherë rezultati i dërgohet presidentes Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor 30 deri në 45 ditë për te shpallur zgjedhjet e parakohshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos