Kuvendi i Kosovës nuk do të mund të mblidhet të paktën edhe këtë muaj duke lënë pezull formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të shkurtit.
Për shkak të kërkesës së Listës Serbe që pretendon se i takon asaj pozita e nënkryetarit të Kuvendit për komunitetin serb, Gjykata Kushtetuese vendosi masë të përkohshme deri më 30 shtator.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani do t’i dorëzojë komentet e saj në Kushtetuese në lidhje me këtë çështje gjatë ditës së martë.
“Qëndrimi i Presidentes gjithnjë ka qenë se askush nuk duhet ta ketë të drejtën t'i bllokojë institucionet, e rrjedhimisht shtetin. Ashtu siç parashihet në Kushtetutë, realizimi i të drejtave të komuniteteve është i pandashëm nga detyrimi për t'i respektuar ligjet e Republikës së Kosovës dhe për të mos i cenuar të drejtat e të tjerëve”, Bekim Kupina, këshilltar për media i Presidentes.
Monitoruesit e punës së Kuvendit nuk besojnë se Kushtetuesja do të rikthejë seancën konstituive në pikën zero.
Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve shqiptarë ka qenë në pajtueshmëri me praktikat, ndërsa shkelje ka vetëm tek zgjedhja e nënkryetarëve nga komunitetet pakicë ku mund t’ju kërkohet deputetëve të votojnë në pako për të dy nënkryetarët.
“Antikushtetuese dhe gabim mbi procedurat e zgjedhjes është vetëm tek zgjedhja prej zonjës Emilja Rexhepi e tutje për arsye se nënkryatërët [shqiptarë] janë votuar pako dhe është votuar ashtu siç e rregullon praktika, po ashtu edhe kryetari është votuar në mënyrë të rregullt por problemi është vetëm tek nënkryetarët e komuniteteve”, u shpreh Melos Kolshi, Instituti i Kosovës për Drejtësi, shkruan A2 CNN.
Njohësit thonë se praktikat dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese janë shumë të qarta duke shtuar se problemi është politik dhe jo ligjor e kushtetues.
Sipas tyre, devijimet nga praktikat e mëhershme janë kundërkushtetuese.
“Problemi aktual i Kuvendit ose i moskontiuuimit të Kuvendit të Republiëks nuk është një problem kushtetues e ligjor por është një problem politik e që vjen si rrjedhojë e mungesës së vullnetit të subjekteve politike, me theks të veçantë të subjektit më të madh politik që ka dal fitues në zgjedhjet e fundit që ta konstituuojë Kuvendin dhe që të gjejë një zgjidhje apo një kompromis me partitë e tjera fillimisht që mandej ai kompromis të pasojë me zgjidhje”, tha Kolshi.
Seanca konstituuive e Kuvendit ka nisur më 15 prill por pa mundur të përfundojë. Gjatë kësaj kohe ka pasur dy masa pezullimi dhe dy afate të përcaktuara kohore për përfundimin e seancës që nuk janë respektuar nga deputetët e Kuvendit. (A2 Televizion)
Saga e Konstituimit, nënkryetari serb mban pezull Kuvendin e Kosovës
