
Ka nisur takimit mes Presidentes Vjosa Osmani dhe liderëve të partive politike në Kosovë.
Në rrugë për te salla e takimit, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti është pyetur nëse do të gjendet sot ndonjë zgjidhje për situatën e krijuar.
“Do të përpiqemi të gjejmë zgjidhje dhe e falënderoj zonjën Presidente për organizimin e këtij takimi”, ka thënë Kurti shkurt për mediat.
Në prag të takimit, këshilltari i Osmanit, Bekim Kupina, tha për Radion Evropa e Lirë se presidentja do të bëjë thirrje për një kompromis politik në takim me liderët partiakë.
Kupina tha të martën se Osmani “do t'i inkurajojë” partitë politike të bashkëpunojnë për ta shmangur çdo bllokadë që mund të ndikojë negativisht në mirëqenien e qytetarëve dhe në funksionimin e institucioneve të Kosovës.
Ajo gjithashtu pritet ta theksojë rëndësinë e miratimit të buxhetit të Kosovës si dhe miratimin e Planit të Rritjes së BE-së.
Qeveria në detyrë e miratoi më herët buxhetin për vitin 2026, por nuk është e qartë se ai do ta gëzojë mbështetjen e partive të tjera në Kuvend. (A2 Televizion)
 
                                           
						                    
						                    
						                    
						                    
						                    
						                    
						                    
						                    
						                    
						                   
 
						                    
						                    
						                   