S’ka dakordim për buxhetin, takimi me Presidenten, nuk ka shumicë të re parlamentare

Nga Ideal Gola
30 Tetor 2025, 19:05 | Politikë

Takimi i presidentes Vjosa Osmani me liderët e partive parlamentare i planifikuar për ditën e premte nuk pritet të sjellë ndonjë epilog për mandatarin e dytë. Dy partitë më të mëdha nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike dhanë sinjale që nuk kanë ndonjë shumicë të re.

Lëvizja Vetëvendosje mohoi se kanë mbledhur nënshkrime për të ftuar seancë të re të jashtëzakonshme për votim të Qeverisë ndërsa janë shprehur kundër edhe mundësisë për Qeveri teknike.

“Nuk e përkrahim një qeveri teknike, qytetarët e Republikës së Kosovës kanë vendosur, qytetarët e kanë votuar Albin Kurtin si personin më të votuar në Republikën e Kosovës, Lëvizjes Vetëvendosje i kanë dhënë mbështetje maksimale, ne jemi falënderues për këtë prandaj në qoftë se nuk do të ketë numra natyrisht që vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme ndonëse ju e dini që nuk e kemi dëshiruar këtë por rrethanat politike na imponon”, tha Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje.

Nga Partia Demokratike thanë se askush nuk i ka 61 deputetë prandaj vendi duhet të shkojë një zgjedhje për të pasur institucionet e reja.

“Ne kemi kërkuar menjëherë pas seancës së ditës së diele, Kosova nuk ka kohë për të humbur, nuk e kemi as edhe një ditë për të humbur. Është e qartë që nuk ka shumicë të re parlamentare, nuk kemi nevojë për taktizime. Vendi ka nevojë për institucione dhe është e qartë që ky Kuvend nuk po arrin të formojë një shumicë të re, duhet të shkojmë në zgjedhje”, tha Vlora Çitaku nga PDK.

Deklaratat u dhanë pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, e cila u ftua nga kryeparlamentari Dimal Basha me shpresën për të pasur një seancë të jashtëzakonshme mëngjesin e së premtes. Seanca ishte planifikuar të shqyrtonte buxhetin e Radiotelevizionit të Kosovës, të komunave Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok dhe buxhetin vjetor.

Mirëpo ky propozim u kundërshtua nga partitë që dikur ishin në opozitë për shkak se nuk mund të ketë themelim të komisioneve parlamentare pa votim të Qeverisë. 

“Sikur të kishte pasur një vullnet politik, ka qenë bindja ime e thellë se s’ka pasur asnjë shkelje ligjore dhe kushtetuese për t’i themeluar komisionet, për të proceduar me buxhetin e RTK-së, tri buxhetet e komunave dhe buxhetin vjetor. Buxheti vjetor ka mundur të bëhet ndaras për shkak se ai dëshiron debat më të thellë, por për dy të parat kam pritur një mirëkuptim, por në të drejtën e tyre disa subjekte politike kanë refuzuar”, tha kreu i Kuvendit, Dimal Basha.

Sipas ligjit, Qeveria ka të drejtë të dërgojë buxhetin deri më 31 tetor e deri në fund të vitit ta miratojë në të dy leximet në Kuvend. Në të kundërt, shteti mund të shfrytëzojë vetëm 1/12 e buxhetit paraprak për dy muajt e vitit të ri.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos