Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur fjalimin e parë në Kuvend pas rrëzimit të dekretit të Presidentes për shpërndarjen e legjislaturës së dhjetë, duke theksuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese konfirmoi shkeljen e Kushtetutës.
“Presidenti nuk mund të shpërndajë vullnetin e popullit as në presion të afateve dhe paqartësive kushtetuese. Vullneti i popullit nuk anulohet me dekrete dhe rrjedhimisht as nuk shpërndahet”, tha Kurti, shkruan A2.
Kreu i qeverisë u shpreh kundër mbajtjes së zgjedhjeve të reja, duke i cilësuar ato si shmangie nga përgjegjësia politike. Sipas tij, qytetarët kanë folur më 28 dhjetor dhe tashmë institucionet duhet të lihen të punojnë: “Sot nuk e kemi luksin e vonesës, të bllokadës dhe nuk kemi nevojë për zgjedhje të reja të sërishme si ikje nga përgjegjësia që na takon”.
Në të njëjtën kohë, Kurti kërkoi përshpejtimin e agjendës legjislative, sidomos në votimin për Projektligjin për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, që e cilësoi si thelbësor në luftën kundër korrupsionit.
Kryeministri ngriti shqetësimin edhe për rritjen e çmimeve, duke akuzuar biznese dhe tregtarë të mëdhenj për abuzim gjatë krizave. Ai bëri thirrje për rikthimin e ligjit për çmimet tavan, si masë mbrojtëse për konsumatorët dhe për të parandaluar rritjet artificiale në treg.
Kurti gjithashtu akuzoi mediat se po punojnë për interesa të armiqve duke kërkuar transparencë për financat e tyre: “Një qytetar i dezinformuar nuk është një qytetar i lirë, ai është i manipuluar dhe, siç tregojnë raportet, ky manipulim po vjen direkt nga armiqtë tanë, por që fatkeqësisht po gjejnë edhe argatin e tyre brenda vendit tonë”.
Në lidhje me fjalimin e kryeministrit për mediat reagoi Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. Sipas AGK-së, një gjuhë e tillë është vazhdimësi e fushatave të parreshtura të Kurtit, partisë dhe Qeverisë së tij, kundër gazetarëve dhe mediave me synim minimin e raportimit të pavarur dhe të lirë. (A2 Televizion)