Kryesia e LDK mbështet Sejdiu, thirrje deputetëve ta votojnë, Osmani: Kandidatura mbron demokracinë

Nga Rosalba Bejdo
1 Shtator 2026, 18:53 | Politikë

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) miratoi marrëveshjen e arritur me Lëvizjen Vetëvendosje, duke u bërë thirrje deputetëve të kësaj partie që të votojnë Bekim Sejdiun për president të Kosovës.

Sipas një deklarate të lëshuar nga LDK-ja pas mbledhjes së mbajtur të martën, nominimi i Sejdiut është mbështetur “me unanimitet të plotë”.

 “Asnjë qëndrim kundër, përkundrazi, pati lëvdata për gjithë punën dhe për integritetin akademik dhe profesional të zotëri Sejdiut. Kjo pastaj mbetet të shihet nga qëndrimet e grupit parlamentar.”

Thirrja e kryesisë së LDK-së për mbështetjen e Sejdiut vjen një ditë pasi deputeti i zgjedhur i kësaj partie, Avdullah Hoti, deklaroi publikisht se nuk do ta mbështesë Sejdiun për postin e presidentit.

LDK-ja tha se nominimi i Sejdiut përfaqëson “qëndrimin zyrtar dhe institucional të LDK-së” dhe është bërë në përputhje me mandatin e dhënë nga Kuvendi i LDK-së.

Ish-presidentja dhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, mbështeti kandidaturën e Bekim Sejdiut për president, duke thënë se LDK-ja ka vendosur interesin e Kosovës para atij partiak.

 “Kandidatura e Bekim Sejdiut i bën nder të gjithë Republikës së Kosovës. Jo vetëm që plotëson të gjitha kriteret për të cilat ne kemi vendosur unanimisht në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar, jo vetëm që respekton vendimin e fundit të Kuvendit të LDK-së, por në të njëjtën kohë i jep Kosovës një mundësi për punë të rëndësishme në mbrojtjen e demokracisë.

Ne kemi bërë një kompromis duke vendosur gjithmonë interesin e Kosovës para çdo interesi individual apo partiak”, tha Osmani.

Ndërsa deputeti Armend Zemaj tha se do ta mbrojë LDK-në që të mos bjerë në “kurthin” e Kurtit, duke lënë të kuptohet se nuk do ta votojë kandidatin për president, Bekim Sejdiun.

 “Qëndrimi im është mbrojtja e LDK-së dhe asnjëherë të mos biem në kurthin e Albin Kurtit”, tha Zemaj.

Propozimi i Bekim Sejdiut si kandidat për president nga LVV-ja dhe LDK-ja u bë më 31 gusht, pas negociatave disa javëshe mes dy partive.

Për zgjedhjen e presidentit kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallën e Kuvendit, i cili ka gjithsej 120 vende.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos