Bekim Sejdiu është i propozuar si kandidat për president nga Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit dhe Lidhja Demokratike e Kosovës e Lumir Abdixhikut. Palët vulosën marrëveshjen pas javësh negociata, ndërsa ende nuk është bërë e qartë nëse mes tyre do të ketë dhe bashkëpunim në qeverisje. Kreu i LDK-së konfirmoi se negociatat me Vetëvendosjen nuk kanë qenë të lehta, por në fund u finalizuan me një emër të përbashkët, të cilin mund ta mbështesnin në kuvend. Abdixhiku konfirmoi se në tryezë kanë qenë dhe emra të tjerë.
Bekim Sejdiu është profesor universitar, jurist dhe diplomat kosovar, me përvojë në drejtësi kushtetuese, marrëdhënie ndërkombëtare dhe diplomaci.
Që nga viti 2002, është profesor në Departamentin e të Drejtës Ndërkombëtare të Fakultetit Juridik pranë Universitetit të Prishtinës.
Sejdiu ka shërbyer edhe si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Ai u emërua në këtë pozitë në vitin 2015 nga presidentja e atëhershme e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Në vitin 2021, dha dorëheqje nga Gjykata Kushtetuese dhe iu rikthye angazhimit akademik.
Para emërimit në Gjykatën Kushtetuese, Sejdiu kishte mbajtur poste në diplomacinë e Kosovës.
Ai ka shërbyer si ambasador i Kosovës në Turqi dhe më pas si konsull i përgjithshëm në Nju Jork.
Karriera e tij akademike është e lidhur kryesisht me të drejtën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
Sejdiu ka përfunduar studimet në fushën e drejtësisë dhe ka ndjekur studime pasuniversitare në marrëdhënie ndërkombëtare dhe të drejta të njeriut.
Emri i tij është rikthyer në qendër të vëmendjes gjatë takimeve për çështjen e presidentit midis LVV-së dhe LDK-së, në kuadër të bisedimeve për gjetjen e një kandidati për president të Kosovës.
Zgjedhja në këtë post do ta bënte Sejdiun presidentin e gjashtë të Kosovës nga shpallja e pavarësisë.
Sejdiu është 52-vjeçar dhe është i martuar me Alberie Rraci Sejdiun, me të cilën ka tre fëmijë. (A2 Televizion)