Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës në opozitë, Lumir Abdixhiku, zhvilluan një tjetër takim mbrëmjen e së shtunës, për arritjen e një marrëveshjeje për çështjen e Presidentit të ardhshëm.
Megjiithatë, bisedimet e palajmëruara më herët u mbyllën pa ndonjë përparim, ndërsa asnjë prej të dyve nuk u prononcua për mediat, shkruan A2.
“Kur të kemi rezultate nga ana jonë, do të kemi lajme për ju”, tha Kurti për gazetarët në përfundim të takimit.
Kryeministri në detyrë heshti kur u pyet se çfarë emrash ishin përmendur për President gjatë bisedimeve. Ky ishte takimi i dytë këtë javë mes tyre, pas atij të zhvilluar të mërkurën, pas të cilit të dy liderët thanë se kishin biseduar për emra konkretë për Presidentin e ardhshëm, duke i cilësuar negociatat si të "vështira".
Megjithatë, pas atij takimi, si Kurti ashtu edhe Abdixhiku thanë se emrat e propozuar ishin në përputhje me profilin e kërkuar nga secila palë. (A2 Televizion)