Kryesia e Kuvendit në Kosovë ka adresuar shqetësimet për cenimin e sigurisë në veriun e vendit, pas mbishkrimeve në mure që bëjnë thirrje për sulm ushtarak nga Serbia. Gjithashtu, është folur edhe për kërcënimin me jetë ndaj kryeministrit Albin Kurti.
“Është evidente që situata e sigurisë në veriun e vendit mbetet e brishtë, për shkak të pretendimeve dhe rrezikut potencial që ekziston nga grupe të caktuara të mbështetura nga Serbia. Paraqitja e grafiteve natyrisht që është marrë me shqetësim por edhe seriozitet të organeve kompetente… vazhdohet të mbetet një situatë kur grupe të caktuara kriminale asnjëherë nuk kanë rreshtuar për të destabilizuar vendin, apo paraqitur rrezik për vendin. Qoftë përmes sigurisë personale të krerëve të shtetit, apo krijimin të incidenteve të tjera”, tha Mimoza Kusari Lila, shefe e grupit parlamentar VV.
“Shprehi keqardhje për një kërcënim të tillë, qoftë ndaj kryeministrit apo cilido lider që ndodh në vendin tonë. Ju e dini se të kaluarën jo shumë të largët ka pasur kërcënime edhe për liderët e opozitës, të cilët tashmë janë në mbrojtje të policisë. Por vërtet është për keqardhje kur brenda një periudhe disa orëshe me u demantu nga një shtet, i cili ishte mikpritës i kryeministrit të Kosovës”, tha Abelard Tahiri, shef i grupit parlamentar PDK.
“S’ka asnjë dilemë se a do të kthehet ushtria serbe në Kosovë, kjo është një ëndërr që e ëndërrojnë jo Serbia, por disa nacionalist. Ata e dinë sikur 1 plus 1 që bëjnë dy se kurrë asnjë ushtri më nuk do të kthehet dhe që ka kush i del zot kësaj Kosove. Qysh i ka dal UÇK-ja në vitin 1999, tash me ushtri dhe instrumente kur të dojnë t’ia mësyjnë. Por nuk e kanë atë guxim”, u shpreh Besnik Tahiri, shef i grupit parlamentar AAK. (A2 Televizion)