Kurti e di vendimin e Hagës ndaj Thaçit? Kryeministri në detyrë: Deputetët e VV nesër në sallë

Nga Xhevahir Qardaku
8 Shtator 2026, 15:25 | Politikë

A është në dijeni kryeministri në detyrë i Kosovës për vendimin e Gjykatës Speciale ndaj ish krerëve të UÇK-së? Ishte pyetja e ngritur nga gazetarët, të cilës Albin Kurti iu përgjigj kështu: “Nuk kam asnjë informacion. Këtu jemi për eficiencë të energjisë, por nuk kam asnjë informacion”.

Gjykata Speciale do të shpallë verdiktin final më 16 shtator për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin. Me të kaluar këtë çështje, Kurti u pyet edhe për vazhdimin e seancës për konstituimin e kuvendit të ri gjatë të mërkurës. Kreu i Vetëvendosjes nuk zbuloi nëse do të bëjë një propozim për kryeparlamentar, gjë e cila do të funksionalizonte legjislaturën e 11-të, por u ndal në vetëm këtë deklaratë. “Nesër e kanë thirrur seancën e Kuvendit, do të jemi aty”, tha ai.

Kurti pati dhe disa fjalë për çështjen e presidentit, pas krisjes që pasoi brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës me arritjen e marrëveshjes për kandidatin Bekim Sejdiu me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Vazhdojmë me takime dhe bisedime në mënyrë që të zgjedhim presidentin dhe të mos kemi nevojë t’i përsërisim zgjedhjet që janë të paarsyeshme dhe të kushtueshme... Jemi vazhdimisht në komunikim me të tjerët dhe besoj që duhet t’i shtroni pyetje atyre që po thonë që do ta bojkotojnë zgjedhjen e presidentit”, shtoi Kurti.

Emri i Bekim Sejdiut kundërshtohet nga 6 deputetë të LDK-së, ndërsa tashmë ata nuk i kanë 80 votat e nevojshme për zgjedhjen e tij president. Sa i përket vazhdimit të seancës konstituive, partia e drejtuar nga Abdixhiku ka konfirmuar prezencën për të mërkurën, gjithashtu edhe PDK-ja e Bedri Hamzës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos