Hysni Gucati, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i ktheu përgjigje provokimit të Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, i cili përpara vendimit të Gjykatës Speciale të Hagës ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare në Kosovë, tha se “Perëndimi dëshiron të thotë se ne jemi të vetmit fajtorë dhe se duhet ta pranojmë këtë sepse nuk ka pasur krime kundër nesh”.
Sipas Gucatit, Presidenti serb “do të bëjë gjithçka për ta nxjerrë situatën nga kontrolli në Kosovë”.
“E dimë që Sigurimi serb tenton ta prishë situatën në Kosovë, të prishë festën që do të jetë e dyta më e madhe pas pavarësisë së Kosovës. E dimë që Serbia, përmes serbëve në veri, mundohet të na prishë imazhin, por nuk do të mundet. Unë falenderoj KFOR-in dhe forcat tona, të cilat duhet të jenë shumë të kujdesshme”, tha Gucati në një lidhje direkte me “Rreth e Qark” në A2CNN.
“Vuçiçi kërkon ta destabilizojë Kosovën, por nuk do t’ia arrijë këtij qëllimi. Ai e ka “zbuluar” se Gjykata e Hagës do i lirojë, por kjo është propaganda e Serbisë. Nuk kemi ndërmend të merremi me ata”, shtoi Gucati. (A2 Televizion)