Aleanca, përmes një aksioni simbolik ka akuzuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje se janë të nënshtruar ndaj liderit të tyre, Albin Kurti dhe zyrtares së lartë të këtij subjekti politik, Dejona Mihali. Ata kanë vendosur disa postera në hyrjen e Kuvendit të Kosovës, me emrin e secilit deputet të partisë në pushtet me mbishkrimin: “Jemi të shqetësuar për lirinë e deputetëve të LVV-së”.
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani tha se kolegët e tij udhëhiqen me grusht të hekurt. “A keni dëgjuar ndonjëherë ndonjë deputetë apo deputete të LVV-së që flet me mendimin e tyre. Përgjigja është jo pasi partia e tyre udhëhiqet me grusht të hekurt pra është jo demokratike”, tha ai, përcjell A2 CNN.
“Ky nuk është problem i kufizuar vetëm në LVV. Problemi këtu është se i njëjti model po tentohet në mënyrë të vrazhdë të vendoset në krejt institucionet e Kosovës dhe shtetin e Kosovës. Jo rrallë dhe më adresa të caktuara deputetët e LVV-së kanë filluar të ankohen për bllokimin në grupin parlamentar po e thonë që nuk e kanë lirinë e shprehjes dhe mendimit personal më lidhje me situatën e bllokimit të shtetit”. (A2 Televizion)