PDK dhe AAK kundër shtyrjes së seancës

Nga A2 CNN
5 Shtator 2026, 17:14 | Politikë

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Aleancës janë mbledhur sërish sot në sallën plenare të Kuvendit, ku drejtuan akuza të ashpra ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, duke e cilësuar shtyrjen e seancës konstituive si shkelje të Kushtetutës.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se me shtyrjen e seancës po shkelen jo vetëm afatet dhe obligimet që burojnë nga rendi kushtetues, por edhe afati i interpretuar më herët nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Prandaj nga këtu sot, dua ta them qartë: Partia Demokratike e Kosovës nuk do të pranojë që të bartet shkelja e Kushtetutës, nuk do të pranojë që shkelja e Kushtetutës të bëhet praktikë, nuk do të pranojë që vendimet e gjykatave të shndërrohen në çështje të vullnetit politik. Nuk do të pranojë që një kryeministër, kushdo qoftë ai, të mund të vendosë cili institucion funksionon dhe cili jo, sepse demokracia nuk shkatërrohet brenda një dite, ajo gërryhet hap pas hapi. Sot nuk respektohet një afat, nesër nuk me zbatimin e vendimit, pasnesër shpërfillen gjykatat, pastaj bllokohet një institucion. Dhe në fund, qytetarëve u thuhet se të gjitha këto janë normale. Jo, nuk janë normale dhe ne nuk do t'i pranojmë si normale”, ka deklaruar Hamza, shkruan A2.

Kreu i PDK-së ka paralajmëruar se kjo parti nuk do të pranojë që shkelja e Kushtetutës të bëhet praktikë dhe vendimet e gjykatave të trajtohen si çështje e vullnetit politik: “Për Partinë Demokratike të Kosovës përgjigja është e qartë: Kosova do të qeveriset me Kushtetutë dhe me ligj. Ndaj sot fillon një fazë e re, një fazë në të cilën Partia Demokratike e Kosovës nuk do të mjaftohet vetëm me thirrjet e saj që ligjshmëria të respektohet. Do të veprojë me pjekuri, me përgjegjësi dhe me të gjitha mjetet demokratike e institutionalet që na jep rendi kushtetues i Republikës së Kosovës”.

Ndërkaq, deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka renditur tri dimensione përmes të cilave, Lëvizja Vetëvendosje ka shkelur Kushtetutën. Sipas Ramadanit, bëhet fjalë për shkeljen e frymës së Kushtetutës, mosrespektimin e interpretimit dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, si dhe shkeljen e obligimeve kombëtare, morale e shtetërore për t’i dhënë Kosovës institucionet.

“E kemi të qartë se Dehari, si kryesues për shkak të moshës, gjatë kësaj kohe ka vepruar si pjesë e Vetëvendosjes, atributve. Dhe ky person, pra Kurti, pa pyetur asnjë, e domethënë pa pyetur fare as Vetëvendosjen, ka vazhduar me shkelje brutale të Kushtetutës dhe të rendit tonë kushtetues. Është e qartë se kaosi institucional dhe jo-stabiliteti institucional është një nga rezultatet kryesore të këtij dështimi. Dhe deputetët e Vetëvendosjes, fatkeqësisht, ose më saktësisht një pjesë e tyre, në bazë të asaj që ka shfaqur Vetëvendosja, janë në shkelje të vazhdueshme të Kushtetutës sonë, të rendit tonë kushtetues. Kjo është një goditje e madhe për demokracinë dhe për të mbrojtur demokracinë. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, bashkë me partitë e tjera opozitare dhe me çdo qytetar që e do Kosovën dhe shtetin tonë, do të hyjë në mbrojtje të kësaj demokracie, të Kushtetutës sonë dhe të shtetit tonë”, ka deklaruar Ramadani.

Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari më 5 shtator ka njoftuar se e ka thirrur vazhdimin e seancës për datën 9 shtator nga ora 11:00. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos