Kurti fton Abdixhikun dhe Krasniqin në takim për konstituimin e Kuvendit

Nga A2 CNN
30 Prill 2025, 17:56 | Politikë

Kurti fton Abdixhikun dhe Krasniqin në takim për konstituimin e

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duket se ka hedhur hapin e parë për zgjidhjen e ngërçit në Kuvend, pasi Vetëvendosje dështoi 8 herë radhazi për të zgjedhur Albulena Haxhiun si kryeparlamentare dhe opozita e refuzoi kandidaten e përzgjedhur prej tyre.

Këtë të mërkurë Kurti, i ka dërguar një letër zyrtare kryetarit të LDK, Lumir Abdixhiku dhe kreut të PDK, Memli Krasniqi, ku i fton në një takim konsultativ me qëllim konstituimin e Kuvendit të ri.

Në letrën e Kurtit theksohet nevoja për zgjedhjen e kryesisë së Kuvendit, përfshirë edhe kryetarin e tij, duke u bazuar në Kushtetutën e Kosovës dhe rregulloren përkatëse.

Takimi është caktuar të zhvillohet ditën e nesërme, nga ora 08:30, në sallën N-204 të Kuvendit të Republikës së Kosovës, para seancës së radhës për zgjedhjen e Kryeparlamentarit.

Kurti shpreh shpresën se ftesa do të pranohet pozitivisht, duke e përmbyllur letrën me një përshëndetje të përzemërt.

Seancat për konstituimin e Kuvendit kanë nisur që nga 15 prilli, por forcat politike kanë dështuar tetë herë radhazi deri tani, pasi kandidatja Albulena Haxhiu nuk i ka 61 votat që duhen për të marrë detyrën.

Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të hapet rruga për formimin e Qeverisë së re.

Vetëvendosje ka dalë fituese me 48 deputetë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës dhe Haxhiu deri tani i ka marrë 57 vota pro.

PDK dhe LDK kanë deklaruar votën kundër Albulena Haxhiut pasi ish-ministrja e Drejtësisë shihet prej tyre si “figurë përçarëse”, por Vetëvendosje ngul këmbë se ajo është kandidate meritore dhe partia e Kurtit ka refuzuar deri më tani të propozojë ndonjë kandidati tjetër. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos