Është mbajtur për herë të parë forumi ekonomik mes Kosovës dhe Turqisë. I pranishëm në eventin e Stambollit ishte kryeministri Albin Kurti, i cili falënderoi shtetin mikpritës për gjithçka që ka bërë për të forcuar Kosovën dhe ruajtur pavarësinë dhe integritetin e saj territorial.
Ai prezantoi arritjet e qeverisë së tij dhe kërkoi thellimin e bashkëpunimit tregtar dhe të biznesit mes Ankarasë dhe Prishtinës.
“Qeveria e Kosovës ka arritur progres të dukshëm në shumë sektorë. Gjatë tre viteve të fundit eksportet e vendit dhe investimet e huaja direkte u dyfishuan. Buxheti i mbrojtjes u dyfishua, me investime të konsiderueshme në armatime dhe pajisje të avancuara ushtarake”, tha Kurti.
Ministri i tregtisë i Turqisë, Ömer Bolat, ofroi një garanci të fortë për sigurinë e Kosovës.
“Ne mbështesim plotësisht stabilitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Stabiliteti i Kosovës do të thotë stabilitet i Ballkanit. Marrëdhëniet tregtare në zhvillim mes Turqisë dhe Kosovës vazhdojnë të kontribuojnë për të dy vendet në përputhje me parimin fitues. 2023' Vëllimi ynë i tregtisë me Kosovën ka arritur në 785 milionë dollarë në vitin 2020. Besoj se ritmi pozitiv që kemi fituar në vëllimin tonë tregtar ndër vite do të vazhdojë dhe deri në fund të vitit 2024 do të arrijmë nivelin prej 1 miliardë dollarësh”, u shpreh Bolat.
Gjatë vizitës në Turqi, kryeministri Kurti është takuar dhe me presidentin Recep Tayyip Erdogan, me këtë të fundit që kërkoi nga Kosova që të veprojë në uljen e tensioneve me Serbinë, si një zhvillim pozitiv dhe thelbësor në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Shefi i qeverisë u takua dhe me ministrin e jashtëm, Hakan Fidan, gjithashtu me anëtarë të diasporës së Kosovës në Turqi. Gjithashtu Kurti vizitoi dhe kompaninë që ndërton dronët Bajraktar, të cilët i posedon ushtria e Kosovës, ndërsa iu prezantua dhe arma më e re, prototipin e fluturakes luftarake pa pilot të kësaj kompanie, Kizilelma. (A2 Televizion)