Kurti liron nga detyra Rexhepin

Nga A2 CNN
28 Gusht 2025, 16:46 | Politikë

Kurti liron nga detyra Rexhepin

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e ka liruar nga detyra në ekzekutivin kosovar, Emilija Rexhepin, pasi ajo u zgjodh nënkryetare e Kuvendit të Kosovës.

Lirimi i Rexhepit nga posti i zëvendëskryeministres në detyrë për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut është bërë më 27 gusht, u tha në njoftimin e ekzekutivit kosovar.

Rexhepi, që i përket komunitetit boshnjak, u zgjodh nënkryetare e Kuvendit më 26 gusht, pas zgjedhjes së Dimal Bashës në postin e kryetarit.

Nënkryetarë të tjerë janë zgjedhur edhe Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, Vlora Çitaku nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Kujtim Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Haxhiu po ashtu është larguar nga posti i ministres në detyrë të Drejtësisë dhe në vend të saj është emëruar ushtrues i detyrës së ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu.

Megjithatë, Kuvendi i Kosovës ende nuk e ka përfunduar procesin e konstituimit, pasi duhet të zgjidhet edhe një nënkryetar nga radhët e komunitetit serb.

Për dallim nga herët e kaluara, kësaj radhe votimi është bërë i ndarë për nënkryetarët nga komunitetet joserbe dhe ai serb. Deputetët kanë refuzuar që të zgjedhin kandidatin e Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit – Sllavko Simiq, dhe pas tre herësh që ai u hodh në votim, kryekuvendari Basha, i hodhi në votim kandidatët e tjerë përmes shortit, përfshirë edhe emrin e Nenad Rashiqit, kryetarit të Partisë serbe për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, i afërt me kreun e Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti.

As Rashiq nuk mori vota të mjaftueshme gjatë votimit më 26 gusht dhe më pas më 28 gusht, ashtu si edhe deputetët e tjerë të Listës Serbe.

Njohësit e ligjeve në Kosovë kanë ngritur pikëpyetje për ligjshmërinë e këtij veprimi, derisa Lista Serbe ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për çështjen e shortit.

Vetëm pas konstituimit të Kuvendit do të hapej rruga për zgjedhjen e ekzekutivit të ri të Kosovës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos